Shqipëria po lë pas reputacionin e saj për krimin e organizuar dhe po sfidon denjësisht Greqinë dhe Kroacinë në turizëm, kështu shkruan media britanike the Times.

Linjat ajrore po rrisin frekuencat e fluturimeve, kompanitë e pushimeve po prezantojnë ture të reja dhe grupet kryesore të hoteleve po shpallin destinacione të reja në vend.

Ekspertët e udhëtimit thonë se media sociale, sidomos Tik Tok është një forcë e fortë shtytëse, e cila qëndron pas rritjes së interesit për Shqipërinë.

Vetëm videot e TikTokut që shfaqin Ksamilin, një vend i cili ofron plazhe me ujëra të pastra, janë parë më shumë se 60 milionë herë.

Skyscanner, platforma më e madhe e prenotimeve të fluturimeve në botë, tha se rezervimet për në Shqipëri janë rritur për 96 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës, viti i fundit i udhëtimeve para pandemisë.

Në të gjitha linjat ajrore numri i fluturimeve drejt Shqipërisë është rritur. Në korrik të vitit 2019, 76 fluturime, me 14,000 vende, u nisën nga Britania e Madhe për në Shqipëri, sipas “Cirium”, një kompani analitike fluturimi. Ky numër u rrit në 207 muajin e kaluar, me 39,600 vende. Një tjetër faktor nxitës i kërkesës shkruan ‘The Times’, janë edhe çmimet e ulëta të Shqipërisë.

Top Channel