Një numër i lartë hyrjesh është shënuar gjatë 24 orëve në vendin tonë, ku janë regjistruar 90, 000 shqiptarë dhe të huaj, njëkohësisht edhe 23,400 mjete.

Në Kakavijë dhe Kapshticë vijon fluksi në hyrje, ndërsa deri tani kanë hyrë mbi 23,000 persona dhe 7,000 automjete.

Nga Policia Kufitare janë marrë masa për shtimin e sporteleve dhe krijimin e lehtësirave ligjore, me qëllim eliminimin e radhëve të gjata.

Gjithashtu drejtuesit e Policisë Kufitare kanë kontaktuar me homologët e tyre në doganën greke për të shtuar sportelet, me qëllim lehtësimin e radhëve të gjata.

Policia greke ka shtuar sportelet dhe aktualisht po punohet me sportele të shtuara, në të dyja pikat e kalimit kufitar, shqiptare dhe atë greke, në Kakavijë e Kapshticë.

Fluks ka patur dhe në pikat e tjera të kalimit kufitar.

Në aeroportin “Nënë Tereza” dhe të Kukësit kanë hyrë rreth 13,500 shtetas shqiptarë dhe të huaj; në Portin e Vlorës dhe të Durrësit kanë hyrë rreth 12,500 shtetas dhe 2 400 mjete; në Muriqan, në Hanin e Hotit, në Morinë, Bllatë dhe në Qafë Thanë kanë hyrë rreth 41,000 shtetas dhe 14,000 automjete.

Në të gjitha pikat e kalimit kufitar janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore. Gjatë 24 orëve të fundit kanë dalë nga vendi ynë rreth 70,000 shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe rreth 21,000 automjete.

 

Top Channel