Elisabeta II në Has/ Daily Mail, reportazh për çunat e qytetit ku do ngrihet monumenti i mbretëreshës

13/08/2022 17:23

Për të kuptuar arsyen e valës së madhe të shqiptarëve që mbërrijnë me gomone në Angli gazeta Daily Mail ka dërguar në Has, shefen e reportazheve Sue Reid.

Makina të shtrenjta në rrugë me targa angleze. Një zonë në veri të Shqipërisë nga ku çdo familje ka më shumë se dy emigrantë në Angli.

Dhe një shesh në qendër të këtij qyteti nga ku pritet të vendoset një bust për mbretëreshën e Anglisë në shenjë respekti ndaj saj.

Mirsevini në Has, Londrën e vogël , të pllakosur nga varfëria e ku si shpresë shihet vetëm emigrimi në Angli. Kështu e përshkuan Hasin gazeta Daily Mail e cila ka bërë një intervistë të gjatë me kryebashkiakun Liman Morina.

“Lidhjet mes dy vendeve tona janë shumë të forta dhe njerëzit në bashkinë që unë drejtoj e ndjejnë se Mbretëresha juaj e Anglisë është edhe mbretëresha e tyre”, ka deklaruar Morina duke treguar se në shesh të Hasit do të vendosë një monument të Mbretëreshës Elisabeta.

Morina nuk e fsheh shqetësimin se gjithnjë e më shumë djem të rinj,  po e lenë qytetin për Anglinë, më shumë se nga çdo qytet tjetër i Shqipërisë.

“Është një fenomen që është e pamundur mos ta vësh re. Jo vetëm që kjo është e dukshme në të gjithë rrjetet sociale, por lajmet e televizioneve shqiptare shfaqin pamjet e të rinjve që mbërrijnë në Dover vazhdimisht.

Dhe shumë janë fytyra të njohura për z. Morina. Në mesin e emigrantëve, ai vëren rregullisht fëmijë që vetëm disa javë më parë jetonin me familjet e tyre në Has “, shkruan Reid.

“Qyteti ynë po zbrazet“,  thotë ai. “Ne po humbasim fëmijët tanë, gjakun tonë teksa ata largohen. Këtë verë, djemtë 15 vjeç apo edhe më të vegjël janë zhdukur sepse në këtë kohë të shkosh me gomone në Angli të shkon më mirë. Prindërit i lejuan të ikin. Është një vendim ekonomik.”

Vetë kryetari i bashkisë, një ish-mësues shkolle, ka katër vëllezër që jetojnë në Leicester, por lutet që tre fëmijët e tij, dy vajza dhe një djalë nga dhjetë deri në 20 vjeç, të mos largohen nga Hasi.

Ai tregon se tashmë anglishtja është kthyer në lëndën e preferuar në çdo shkollë të mesme.

“Ata nuk humbasin kurrë një orë mësimi të anglishtes. Ata e dinë se anglishtja është e rëndësishme sepse kanë nevojë për gjuhën për të mësuar e punuar në vendin tuaj.”

Vetëm kur fillon sërish shkolla në shtator, kuptohet se sa nxënës do të mungojnë sërish në tavolinat e tyre.

Aktualisht 5 mijë njerëz jetojnë në qytetin që nuk ofron shumë mundësi punësimi, megjithëse shumë janë në moshë pune, vetëm 700 prej tyre kanë punë, 300 në sektorin publik punojnë si oficerë policie, nëpunës civilë apo mësues të paguar nga shteti shqiptar.

Shumë familje, madje edhe ato në punë, mbështeten shumë në paratë e dërguara nga Mbretëria e Bashkuar nga djemtë e tyre për të përballuar jetesën për shkak të pagave të ulëta.

Top Channel