Çarçaf me gjak, xhamat e banesës të thyera/ Top Channel udhëton në Cetinjë një ditë pas masakrës me 11 të vdekur

13/08/2022 12:37

Top Channel udhëtoi sot drejt Cetinjës në Mal të Zi, aty ku një ditë më parë mbetën të vrarë 11 persona dhe u plagosën disa të tjerë.

Një carcaf i bardhe i larë në gjak, xhama të thyer, drita të banesës ende të ndezura, gjurmët e masakrës janë ende të freskëta në vendngjarje. Gazetarja Kristi Gongo tha për Top Channel se zona është braktisur thuajse nga të gjithë.

Shiu që ka përfshirë vendin, duket se vajton viktimat e masakrës, heshtja ka kapluar Cetinjën, ndërsa për tri ditë, duke nisur nga sot, Mali i Zi do të jetë në zi kombëtare, vendim ky i kryeministrit Abazoviç.

Të shtunën, Mali i Zi u trondit nga një krim makabër që nuk ishte parë prej dekadash të tëra, një 34 vjecar pas një konflkiti me një familje që jetonte në shtëpinë e tij si qiramarrës, vrau 10 persona me breshëri arme, mes tyre të 3 anëtarë të familjes në fjalë dhe kalimtarë të rastit.

Në mesin e vrarëve janë edhe dy fëmijë, si dhe vetë autori Vuk Boriloviç, duke e cuar numrin e të vrarëve në 11. Ndërkohë gjashtë persona janë duke u trajtuar në spital, tre prej të cilëve janë në rrezik për jetën.

Drejtori i policisë, Zoran Bërgjanin, tha se 34-vjeçari kishte qëlluar me armë në drejtim të një familjeje, anëtarët e të cilës ishin qiramarrës në shtëpinë e tij, në vendbanimin Medovina. Më pas ai ka dalë dhe ka qëlluar banorët e kësaj lagjeje me të njëjtën armë zjarri, duke u marrë jetën shtatë personave të tjerë, ndërsa gjashtë të tjerë i ka plagosur.

Top Channel