Gjatë kontrolleve masive të zhvilluara në zonat malore të thella në vendin tonë janë asgjësuar 4945 bimë narkotike të dyshuara kanabis.

Në këtë aksion u përfshinë 1560 forca policore të Drejtorive Vendore të Policisë në qarqe, të Policisë Kufitare dhe të reparteve të FNSH Tiranë, Fier dhe Shkodër.

Gjithashtu janë përdorur edhe 32 dronë, për të kontrolluar territorin nga ajri.

Për shkak të terrenit të vështirë malor është dashur ndërhyrja e punonjësve të FNSH-së, të cilët kanë zbritur me litarë, për të asgjësuar parcelat e vogla që varionin nga 25 deri në 90 bimë narkotike.

Konkretisht në qarkun Shkodër janë asgjësuar 3290 bimë narkotike, në qarkun Lezhë 1010 bimë, në qarkun Kukës 316 bimë, në Malësinë e Krujës 225 bimë, në qarkun Gjirokastër 73 bimë dhe në qarkun Dibër 31 bimë, të dyshuara narkotike kanabis.

Bimët narkotike janë asgjësuar me anë të djegies, përveç një sasie të vogël bimësh që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Prokuroria dhe strukturat hetimore vijojnë punë për kapjen e autorëve të përfshirë në kultivimin e kanabisit.

Top Channel