Punonjësi i IMT-së, Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Ilirjan Gavelli është plagosur nga një 55-vjeçar këtë të premte.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Todi Shkurti” në Tiranë.  Ai kishte shkuar për të prishur një shtëpi dhe i zoti i banesës e ka qëlluar me armë.

Autori Qani Muça 55 vjeç është identifikuar dhe arrestuar nga policia, ndërsa punonjësi 52-vjeçar ka marrë plumb në bark dhe ndodhet në sallën e operacionit.

Sipas informacioneve, banesa ka nisur të shembet që në mëngjes.

Në zonë pritet të bëhet një rikualifikim urban dhe do të ndërtohet një rrethrotullim. Policia ka shoqëruar në polici edhe familjen e autorit.

“Plagosi me armë zjarri një punonjës të I.M.T-së, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 kapin dhe shoqërojnë menjëherë autorin e dyshuar.

Policia sekuestron dhe armën e zjarrit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së krimit.

Më datë 12.08.2022, rreth orës 17:30, në kryqëzimin e rrugës “Todi Shkurti” me rrugën “Kristaq Capo”, shtetasi Q. M., 55 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, punonjësin e i IMT-së, shtetasin I. G., 52 vjeç, i cili sapo kishte përfunduar ekzekutimin e një vendimi.

52 vjecari është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Autori është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në komisariat, së bashku me armën e përdorur gjatë kryerjes së krimit, për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sipas policisë.

Top Channel