Zjarret janë vënë në kontroll në pjesën më të madhe të Shqipërisë, por ka ende disa vatra aktive.

Forcat e shërbimit zjarrfikës, të mbështetur nga Forcat e armatosura dhe banorët e zonave të ndryshme janë angazhuar në izolimin e shuarjen e flakëve, situata paraqitet më problematike në fshatin Shetaj të bashkisë Durrës, ku flakët vijojnë të jenë aktive në Kepin e Rodonit.

Të mërkurën prej orës 6 të mëngjesit 15 efektivë të zjarrfikësve, 3 mjete si dhe efektivë ushtrie kanë vijuar punën për shuarjen e flakëve. Një zjarr ka rënë pasdite edhe në zonën e Qafë Panjës, në bashkinë Pogradec. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe te pyllëzuar me ah dhe dushk. 3 hektar po digjen aktualisht ndërsa terreni është shumë i vështirë.

Vatra aktive ka dhe në fshatin Mal Bardhë të bashkisë Kurbin, në fshatin Sojnik të Gramshit, në fshatin Prongji të Gjirokastrës ku ka pasur riaktivizim të vatrave të zjarrit. Në ndihmë të 709 forca Operacionale  të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi me 36 mjete zjarrfikëse, zjarret po monitorohen edhe nga pushteti vendor për të ndaluar përhapjen e flakëve në zonat e banuara. qindra rrënjë ullinj, shkurre dhe pemë frutore janë djegur.

Ministria e Mbrojtjes përsërit thirrjen për të denoncuar çdo rast të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. si dhe këshillon të tregohet kujdes i shtuar në këto ditë me temperatura të larta në përdorimin e mjeteve ndezëse. Por teksa autoritetet hedhin dyshime se zjarret janë të shumta e të qëllimshme e kjo histori çdo verë përsëritet, autorët e zjarrëvënieve ende nuk janë identifikuar, teksa janë vënë në pranga shumë pak persona.

Deputeti socialist Erion Brace, përballë kësaj situate premton se në shtator do të paraqes në kuvend një ligj për ndalimin e djegies së tokës përmes zjarrëvënies së qëllimshme. “një përpjekje qoftë dhe kaq, për të ndaluar djegien e këtij vendi. Toka nuk duhet të digjet më, duhet ndaluar. Duket si toka e zjarreve”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale.

Top Channel