UEFA nis sezonin e ri/ Sot Superkupa Europiane, Real Madrid-Eintracht

10/08/2022 12:39

Mbrëmjen e sotme vëmendja e admiruesve të futbollit do të jetë e gjitha në Helsinki ku do të zhvillohet Superkupa Evropiane mes Realit të Madridit dhe Eintrachtit të Frankfurtit.

Është një sfidë që më shumë flet për rilindjen e skuadrës gjermane që sezonin e kaluar kur kaloi në 1/8 e finaleve nuk ishte as mes 10 skuadrave më favorite për të fituar Europa League, e megjithatë ia doli mbanë të bëjë këtë mrekulli, brenda së cilës përfshihet dhe fitorja historike në Camp Nou ndaj Barcelonës ku të pranishëm ishin 30 mijë tifozë gjermanë.

Me këtë iluzion, skuadra gjermane do të përballet me Realin e Madridi që në letër shihet si favoriti absolut për ngritjen e trofeut.

Los Blancos kanë bërë lëvizje pa shumë zhurmë në këtë verë, por Ancelotti duket se do të hedhë në fushën e lojës të njëjtën heronj që mundën Liverpoolin duke i dhënë Realit titullin e 14 evropian për klube.

Eintrachti, pavarësisht se e nisi sezonin në Bundesligë me humbjen e thellë 6-1 ndaj Bayernit, shkon në këtë ndeshje me dy përforcime, Alario dhe Gotze, heroin e përfaqësueses gjermane në botërorin e 2014.

Por trajneri Glasner do të ketë edhe një mungesë të rëndësishme, atë të Kostic që nuk ka udhëtuar drejt Finlandës për të kompletuar transferimin e tij te Juventus

Eintracht i Frankfurtit dhe Reali i madridit janë ndeshur vetëm 1 herë mes tyre në arenën evropiane dhe kjo ka qenë në 1960, në finalen e Kupës së Kampioneve ku Los Blancos me Puskas dhe Di Stefanon regjistruan një fitore spektakolare 7-3.

Mbrëmja e sotme për Eintrachtin e Frankfurtit është e vecantë pasi klubi gjerman për herë të parë do të luajë finalen e Superkupës, ndërsa për Realin e madridit, kjo do të jetë hera e 8, në 7 finalet e para të këtij kompeticioni, skuadra madrilene ka fituar 4 dhe ka humbur 3, pra nuk është kaq i pagabueshëm sa në Ligën e Kampioneve

Top Channel