Tirana,”pazar” te rivalët historikë/ I merr Kallakun Partizanit, të kuqtë humbasin dhe Belicën

10/08/2022 12:30

Tirana bën pazar te rivalët historikë të Partizanit.

Skuadra kampione e vendit arriti të sigurojë shërbimin e Sherif Kallakut me këtë të fundit që i dha shumë shpejt fund aventurës së tij me të Kuqtë.

Nëpërmjet një videoje të shkurtër të postuar në rrjetet sociale, Tirana zyrtarizoi nënshkrimin e kontratës me bardheblutë nga ana e Kallakut i cili do të zëvendësojë te bardheblutë Ennur Totren të transferuar në kampionatin ukrainas për vlerën e 300 mijë Eurove.

Te Partizani duket se ka nisur një eksod i vërtetë pasi Kallaku nuk është i vetmi që ka lënë skuadrën kryeqytetase në orët e fundit.

Edhe Egzon Belica i ka thënë lamtumirën të kuqve një lajm që u konfirmua nga vetë Partizani nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Në komunikatën e tij partizani thekson se futbollisti dhe drejtuesit e klubit pas bisedimeve të zhvilluara arritën të gjenin marrëveshjen për ndërprerjen e bashkëpunimit mes tyre në mënyrë konsensuale.

Tani Partizanit do t’i duhet të nisë kërkimet për gjetjen e zëvendësuesit të mbrojtësit 31-vjeçar që ka qenë një pikë e fortë për Të Kuqtë.

Edhe Laçi ka bërë lëvizje të tjera në merkato në kuadër të përgatitjeve të sezonit të ri. Skuadra nënkampione e vendit këtë radhë hodhi sytë nga Zvicra dhe më konkretisht te akademia e Young Boys duke arritur të sigurojë shërbimin e Jon Vulës me këtë të fundit që nënshkroi një kontratë 3 vjeçare me klubin bardhezi

 

Top Channel