Sulmuesi meksikan i “shkel syrin” Man. Unitedit: Jam gati të kthehem edhe falas

10/08/2022 18:39

Chicharito Hernandez i shkel syrin Manchester Unitedit. Sulmuesi 34-vjeçar meksikan, i cili që prej verës së 2020-ës luan me Los Angeles Galaxy, ka deklaruar se do të pranonte të kthehej falas për të veshur fanellën e “djajve të kuq”, ndonëse ka pranuar se shanset që kjo të ndodhë, janë minimale.

“Një rikthim i imi te Manchester United është thuajse i pamundur, por nëse do të më vinte një thirrje, do të shkoja edhe falas. Gjithsesi për momentin jam i përqendruar te Los Angeles Galaxy, pasi po luaj rregullisht, po shënoj dhe dua të fitoj një titull edhe këtu”, deklaroi Javier Hernandez.

Meksikani ka qenë pjesë e Manchester United në periudhën 2010-2014, ku luajti një total prej 157 ndeshjesh dhe shënoi 59 gola, teksa pranon se forma e dobët e “djajve të kuq” lidhet pikërisht me largimin e Alex Fergusson.

“Largimi i një emri si Fergusson, pas 26 vitesh të shkëlqyera natyrisht që do të kishte pasojat e veta, pasi tani presioni është shumë i madh, si për trajnerët, ashtu edhe për drejtuesit e klubit. United duhet të përshtatet dhe t’i japë mundësi trajnerit të ri të punojë në mënyrën e vet”, u shpreh Chicharito.

Top Channel