Shuhen vatrat e zjarrit në Shetaj të Durrësit, mbetet aktive vetëm një ku ndërhyrja është e pamundur

10/08/2022 20:25

Shuhen vatrat e zjarrit në Shetaj të Durrësit, aktive ka mbetur vetëm një vatër në greminë ku ndërhyrja nga toka është e pamundur.

Lajmi bëhet i ditur nga sektori i përballimit të emergjencave civile në prefekturën e Durrësit.

”Operacioni i ndërhyrjes nga toka ka përfunduar dhe aktualisht forcat janë duke dalë nga terreni i vështirë.”

Që në orët e para të mëngjesit ka nisur ndërhyrja nga toka në vatrat e fshatit Shetaj. Përgjatë gjithë ditës së mërkurë është punuar me intensitet të lartë nga forcat në terren të ndarë në 3 grupe me nga 10 efektivë për grup.

Nga ana e drejtuesve të operacionit u vendos të provohej të futeshin 2 mjete zjarrfikëse tek rruga e hapur nga fadromat gjatë javës së kaluar, aq sa do të ishte e mundur pa rrezikur një tjetër aksident, si ai i 5 gushtit me mjetin zjarrfikës të Autoritetit Portual. Nga afrimi i mjetit zjarrfikës është bërë e mundur shtrirja e një tubi rreth 350 metra për fikjen e një pjese të vatrave të riaktivizuara, disa prej të cilave një ditë më parë.

Aktive nderkohë është vetëm vatra në fund të greminës ku është e pamundur ndërhyrja nga toka.

Në operacionin e ndërhyrjes gjatë ditës së sotme morën pjesë 15 efektivë dhe 2 mjete zjarrfikëse të Durrësit, si dhe 2 mjete dhe 12 efektivë të Forcave të Armatosura.

Situata do të monitorohet në vazhdim nga stacioni provizor i zjarrfikësve në Gjirin e Lalzit.

Top Channel