Pasi mblodhi më shumë para seç kishte parashikuar në 6 muajt e parë të vitit, qeveria ka rishikuar Buxhetin për vitin 2022 duke rritur pritshmëritë për të ardhurat me 30 miliardë lekë.

Por, ekzekutivi ka zgjedhur një qasje ndryshe për rishpërndarjen e tyre. Vetëm një pjesë e të ardhurave do të shkojnë për të kompensuar qytetarët për çmimet e larta, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për të ulur deficitin ose borxhin publik.

Qeveria pritet të shpenzojë vetëm 13 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër e parave të mbledhura do të ulë deficitin në 83.8 miliardë lekë.

Sa i përket paketës së anti-krizës, qeveria do të vazhdojë t’i japë pensionistëve dhe familjet në ndihmë ekonomike pagesën edhe për tre muaj të 3 mijë lekëve, në një total prej 5.5 mld lekësh. Pjesën më të madhe në mbështetjen buxhetore e zë edhe kompensimi për çmimin e energjisë elektrike me gati 20 mld lekë, por kjo faturë mund të rritet edhe më tej.

Ndërkohë, 1.67 miliardë lekë do të përdoren për kompensimin e ndërtuesve që kanë kontrata publike për çmimet e rritura të materialeve të ndërtimit. Ata do të marrin nga 5 – 30% kompensim për lëndët e para.

Qeveria parashikon të presë shpenzimet edhe për disa Ministri, ku më e prekura është ajo e Shëndetësisë, të cilës tani kur pandemia është zbehur, i hiqen 2 miliardë lekë nga fondi. Ministrisë së Financave gjithashtu i ulen fondet, ndërsa qeveria parashikon një përmirësim të ndjeshëm të skemës së sigurimeve shoqërore për shkak të rritjes së pagës minimale.

Ministrisë së Mbrojtjes gjithashtu i ulen 0.9 miliardë lekë si dhe Institutit të Statistikave me 0.78 mld lekë.

Ndërkohë, më shumë fonde do përqendrohen tek Ministria e Infrastrukturës dhe AKSHI. Lekët do të shkojnë për projektet rrugore, për investimin në kanalizime si dhe një pjesë e mirë për përmirësimin e shërbimit qeveritar e-albania. Gjithashtu administratës pritet t’i shtohen 362 punonjës ku pjesa më e madhe e tyre nevojitet në ministrinë e infrastrukturës dhe AKSHI.

Duket se sulmi i fundit kibernetik ka bërë që qeveria të fusë në vëmendje shërbimet online dhe rritjen e nivelit te tyre mbrojtës, pas sulmit te fundit te hakerave iraniane me mbështetje nga Rusia, duke shtuar fondet por edhe stafin e akshit në mënyrë të ndjeshme.

Edhe Ministrisë së Arsimit do t’i rriten fondet me 1.2 mld lekë, që do zbatohen programet e parashkollorit.

Top Channel