Në mesin e makinerive të rënda, me të cilat serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada dhe bllokuan pothuajse të gjitha rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, kishte edhe automjete pothuajse identike me ato që përdoren nga shërbimet komunale serbe në komunat në veri të Kosovës.

Këto shërbime, si Ndërmarrja Publike “Standard” nga Mitrovica Veriore, janë nën kontrollin e Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë që është e afërt me Partinë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Me datat 31 korrik dhe 1 gusht, kamerat e Radios Evropa e Lirë kanë regjistruar edhe praninë e punonjësve të kompanisë “Standard”, të cilët ishin me uniforma pune në barrikada.

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Standard” në uniforma pune në barrikadat në Rudare të Zveçanit në veri të Kosovës
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Standard” në uniforma pune në barrikadat në Rudare të Zveçanit në veri të Kosovës

Drejtor i kësaj kompanie është Goran Rakiç, kryetar i Listës Serbe, i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës të kryeministrit Albin Kurti.

Radio Evropa e Lirë është përpjekur të kontaktojë me Rakiçin, por ai nuk është përgjigjur. REL i është drejtuar edhe Aleksandar Trajkoviçit, të cilin mediat vendore e prezantojnë si “udhëheqës” i ndërmarrjes “Standard”. Pyetjes se çfarë po bënin punëtorët dhe kamionët e asaj kompanie në barrikada, Trajkoviç i është përgjigjur se: “Duhet t’ia bëni drejtorit të kompanisë atë pyetje, unë vërtet nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje për ju”.

Lokacioni i barrikadës ku janë parë puntorët e kompanisë 'Standard'.
Lokacioni i barrikadës ku janë parë punëtorët e kompanisë ‘Standard’.

Ai ka thënë se është “vetëm menaxher i sektorit ekonomik”.

 faqen zyrtare të ndërmarrjes “Standard” thuhet se kjo kompani është e ngarkuar “për kryerjen e veprimtarive komunale në territorin e komunës së Mitrovicës”.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë edhe me Aleksandar Spiriçin, kryetar i komunës paralele serbe në Mitrovicën e Veriut, lidhur me praninë e kamionëve të shërbimeve komunale serbe në barrikada, por ai nuk është përgjigjur.

Përveç komunave paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat nga autoritetet e Kosovës konsiderohen institucione ilegale, ka edhe komuna me shumicë serbe që punojnë sipas ligjeve të Kosovës, por në të cilat në pozita udhëheqëse janë po ashtu zyrtarët e Listës Serbe.

Për shembull, Zoran Todiç është kryetar i Komunës së Leposaviqit që funksionon sipas sistemit të Kosovës, por ai drejton edhe komunën paralele serbe.

Shoferë të maskuar dhe kamionë pa targa në barrikada

Shumë nga kamionët në barrikada ishin pa shenja, disa edhe pa targa.

Megjithatë, një kamion cisternë që mund të shihet në pamjet e Radios Evropa e Lirë në Rudarë, ka pasur targat e Beogradit. Anash duket edhe një shirit i verdhë.

Cisternë në barrikadën në Rudarë, e cila i është dhuruar komunës paralele të Zubin Potokut nga Ndërmarrja Publike "Gradska çistoqa"(Higjiena e qytetit) nga Beogradi më 16 maj 2019.
Cisternë në barrikadën në Rudarë, e cila i është dhuruar komunës paralele të Zubin Potokut nga Ndërmarrja Publike “Gradska çistoqa”(Higjiena e qytetit) nga Beogradi më 16 maj 2019.

Më 16 maj 2019, Ndërmarrja Publike “Gradska çistoqa” (Higjiena e qytetit) nga Beogradi ua dhuroi një automjet identik përfaqësuesve të komunës paralele serbe të Zubin Potokut.

Për këtë ka raportuar edhe vetë ndërmarrja në ueb sajtin e saj.

Gjithashtu, në njërën nga fotot shihet një cisternë e ngjashme me atë që ndodhej në barrikadë, por nuk shihet numri i targës, pasi fotografia është bërë anash.

Cisterna e "Gradska çistoqa" nga Beogradi u ka dhuruar përfaqësuesve të Komunës së Zubin Potokut më 16 maj 2019.
Cisterna e “Gradska çistoqa” nga Beogradi u ka dhuruar përfaqësuesve të Komunës së Zubin Potokut më 16 maj 2019.

REL i është drejtuar Doganës së Kosovës me kërkesën për marrjen e numrit të targës së cisternës që ishte importuar në Kosovë nga Beogradi si donacion më 16 maj 2019, për qëllime të komunës paralele të Zubin Potokut. Megjithatë, Dogana nuk është përgjigjur.

Në barrikada, ekipi i REL-it ka filmuar edhe një kamion të bardhë për mbeturina, në të cilin është logoja e Ndërmarrjes Publike “Gradska çistoqa” (Higjiena e qytetit) nga Beogradi. Fotoja është e anës së djathë të kamionit dhe nuk duken targat, por dallohet logoja e ndërmarrjes.

Një kamion i bardhë me logon e Ndërmarrjes Publike "Gradska çistoqa" nga Beogradi i fotografuar në barrikadën në Rudarë.
Një kamion i bardhë me logon e Ndërmarrjes Publike “Gradska çistoqa” nga Beogradi i fotografuar në barrikadën në Rudarë.

Kjo kompani i ka dhuruar një kamion të tillë kompanisë “Standard” në Mitrovicën e Veriut më 18 qershor 2020. Këtë e ka bërë të ditur Administrata e Qytetit të Beogradit në faqen e saj zyrtare, së bashku me fotografitë nga ceremonia solemne në Mitrovicën e Veriut.

Siç shihet, në ceremoni ka marrë pjesë edhe nënkryetari i atëhershëm i kryeqytetit, Goran Vesiç, i cili ka bërë një foto para kamionit të dhuruar.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Goran Vesiçin, tashmë ish-nënkryetar i Beogradit, përmes Viber-it, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

REL-i, po ashtu i ka dërguar Ndërmarrjes Publike “Gradska çistoqa” (Higjiena e qytetit).

Kërkesë për qasje në informata me rëndësi publike, lidhur me numrat e targave të automjeteve të dhuruara komunave në veri të Kosovës REL-i i ka dërguar edhe Ndërmarrjes Publike “Gradska çistoqa” (Higjiena e qytetit). As ky institucion nuk është përgjigjur.

Përveç automjeteve, të cilat janë të lidhura me shërbimet komunale lokale, rrugët në veri të Kosovës janë bllokuar edhe nga kamionë të disa kompanive private nga Serbia. Një kamion i kuq kishte logon e kompanisë së “Srbija autoput” (Autostrada e Serbisë) në barrikadën në afërsi të Zubin Potokut.

Automjeti i kompanisë "Serbia autoput" (Autostrada e Serbisë) në Zupç të Zubin Potokut.
Automjeti i kompanisë “Serbia autoput” (Autostrada e Serbisë) në Zupç të Zubin Potokut.

Bëhet fjalë për një firmë private me seli në Beograd, e cila merret me ndërtimin e rrugëve dhe autostradave.

Drejtor dhe pronar i kësaj firme është Zhelko Jankoviç. Në dy vitet e fundit kjo kompani ka fituar rreth njëzet tenderë për ndërtimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve lokale në Serbi.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar kërkesë kësaj kompanie për dhënien e më shumë informatave për kamionët e tyre në barrikada, por përgjigje nuk ka kthyer deri në publikimin e këtij teksti. Askush nuk u është përgjigjur as thirrjeve telefonike.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, lidhur me përdorimin e automjeteve komunale, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, shoferët e kamionëve që bllokuan rrugët në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht mbanin kryesisht maska në fytyrë.

Në Jarinjë të Poshtme afër pikës kufitare me Serbinë, në pamjet e Radios Evropa e Lirë shihen se si dy burra, me maska në fytyrë, të armatosur dhe me jelekë antiplumb po qëndronin pranë barrikadave.

Një person i armatosur dhe me maskë në barrikadë në Jarinjë të Poshtme afër kufirit me Serbinë.
Një person i armatosur dhe me maskë në barrikadë në Jarinjë të Poshtme afër kufirit me Serbinë.
Lokacioni ku janë parë persona të armatosur dhe të maskuar afër një automjeti në Jarinjë e Poshtme.
Lokacioni ku janë parë persona të armatosur dhe të maskuar afër një automjeti në Jarinjë e Poshtme.

Barrikadat si simbol i tensioneve në veri të Kosovës

Tensionet e fundit në Kosovë nisën më 31 korrik, para fillimit të procesit të riregjistrimit të targave serbe me emërtimet e qyteteve të Kosovës në ato RKS (Republika e Kosovës) dhe vendosjes së masave reciproke lidhur me dokumentin, i cili duhet të zëvendësojë letërnjoftimet serbe gjatë vizitës së këtyre personave në Kosovë.

Atë ditë, serbët lokalë në katër komuna në veri të Kosovës bllokuan rrugët me kamionë dhe vetura të tjera në shenjë proteste, kurse Lista Serbe i falënderoi për këtë dhe i inkurajoi.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp me drejtorin e Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç, në Beograd më 1 gusht, tha se barrikadat ishin “një reagim, jo një veprim, ndaj veprimeve të njëanshme të Prishtinës”.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë ka vendosur të shtyjë zbatimin e vendimeve për 30 ditë, saktësisht deri më 1 shtator, për shkak të dezinformatave që vijnë nga Beogradi për situatën në terren.

Në anën tjetër, veriu i Kosovës është mbushur me posterë me mbishkrimet “Nuk dorëzohemi, letërnjoftimet serbe mbeten” dhe “Nuk dorëzohemi, KM mbetet”.

Veriu i Mitrovicës më 30 korrik 2022.
Veriu i Mitrovicës më 30 korrik 2022.

Paraprakisht, më 1 gusht, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se barrikadat në veri të Kosovës janë vendosur nga “strukturat ilegale serbe, 15 minuta pasi janë lëshuar sirenat dhe janë vendosur në nëntë lokacione të ndryshme në veri të vendit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

“Së paku, nëntë barrikada janë ngritur brenda 10 minutave. Bëhet fjalë për një organizim dhe një përgatitje që nuk mund të jetë thjesht qytetare, por është shtetërore. Kjo është gatuar në Beograd që për më shumë se një muaj kishte zhvilluar fushatë se si me datën 1 gusht në Kosovë do të nisë e ashtuquajtura ‘Stuhia’, ngjashëm sikur në Kroaci dhe se do ta pasojë ferri në Kosovë”, tha ai.

“Këto barrikada që janë ngritur më 31 korrik e kanë një risi sepse për nga karakteri i tyre nuk janë thjesht barrikada për të penguar qarkullimin, por edhe për të qëlluar mbi automjetet që vijnë”, shtoi Kurti.

Ndërkohë, Lista Serbe konfirmoi se në barrikada ishte edhe nënkryetari i asaj partie, Milan Radoiçiç, të cilin e kërkojnë autoritetet e Kosovës për shkak të përfshirjes së tij në rastin “Brezovica”, lidhur me të cilin është arrestuar edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikolliç.

Radoiçiç dyshohet se i ka “frikësuar dëshmitarët gjatë procedurës penale”.

Barrikadat e mëparshme në veri të Kosovës

Kjo nuk është hera e parë që në veri të Kosovës ngrihen barrikada për t’i penguar autoritetet e Kosovës që t’i zbatojnë vendimet e tyre.

Ato u vendosën edhe në shtator të vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës prezantoi masat reciproke ndaj Serbisë sa i përket targave.

Pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, kanë qenë të bllokuara për dy javë dhe aty gjatë gjithë kohës kanë qenë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa avionët ushtarakë serbë disa herë kanë fluturuar në afërsi të pikës kufitare Jarinjë.

Trembëdhjetë ditët e bllokadës në veri

Në atë kohë, Beogradi zyrtar njoftoi se njësitet e ushtrisë serbe janë në gatishmëri të shtuar luftarake në garnizonet e Rashkës dhe Novi Pazarit, afër kufirit me Kosovën.

Barrikada u ngritën edhe në vitin 2011, kundër vendosjes së pushtetit të Kosovës në veri. Në vitin 2011, KFOR-i e identifikoi Zvonko Veselinoviçin si personin që organizoi ngritjen e barrikadave dhe shkaktimin e trazirave në atë pjesë të Kosovës.

Zvonko Veselinoviç, biznesmen nga veriu i Kosovës, së bashku me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, janë të lidhur me disa aktivitete kriminale dhe ndaj të cilëve janë zhvilluar disa procedura para organeve të drejtësisë në Serbi.

Veselinoviç dhe Radoiçiç janë, gjithashtu, në listën e zezë të SHBA-së për shkak të përfshirjes së tyre në krimin e organizuar ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës i lidhin edhe me vrasjen e politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviç./ Radio Evropa e Lirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA