Foto Ilustruese

Një gazetar i The Sun është infiltruar brenda trafikut me gomone të linjës Francë- Angli.

Grupi kriminal që transporton personat drejt Britanisë përdor TikTok për të reklamuar trafikun e njerëzve drejt Anglisë, ndërsa mburren se si francezët do t’i lejojnë emigrantët të kalojnë, sipas hetimit të The Sun.

“Ne zbuluam llogari të shumta nga shqiptarët që sigurojnë kalim të sigurt me varkë të vogël apo edhe jahte luksoze , ndërsa përfshihet këshillim se si të kërkojnë azil. Duke i ofruar gazetarit një vend prej 4500 £ në një gomone, njëri prej  tyre u mburr: Francezët nuk do t’ju ndalojnë. Përkundrazi, ata do t’ju shoqërojnë të sigurt derisa të arrini në kufirin ujor të Mbretërisë së Bashkuar”, sipas The Sun.

Gazetari i The Sun u prezantua si emigrant shqiptar, të cilit iu tha të kontaktonte një avokat pas mbërritjes në Britani.

Ai shtoi në bisedën TikTok : Mund t’ju jap një numër avokatësh që kam përdorur për të afërmit e mi. Ata kanë arritur të sigurojnë dokumentacion (leje qëndrimi) për gjysmën e shqiptarëve në Londër.

I pyetur për fatin e të ardhurve së fundmit, ai tha: Tre muaj më parë një djalë u mbajt në paraburgim për një muaj, pastaj u lirua nga avokati i tij.

“Të gjithë të tjerët me të cilët kam biseduar pasi mbërritën u dërguan në hotele, më pas u zhdukën. Ata shkuan te të afërmit e tyre.”

Trafikanti, pseudonimi TikTok i të cilit është @franc_gomone_angli1 — po fiton para nga shqiptarë që shkojnë në Britani.

Në vitin 2021, gjithsej 757 shqiptarë kaluan Kanalin me anije të vogla. Në vetëm gjashtë javë këtë verë kaluan 1,075 shqiptarë, gati 40 për qind e të gjithë atyre që arritën në Britani në këtë mënyrë, thotë një raport i zbuluar.

I pyetur nga gazetari i The Sun se çfarë të thotë kur kërkon azil, trafikanti shtoi: Duhet të gjesh një avokat kur të arrish në hotel. Do të keni mjaft kohë për të menduar për historinë tuaj dhe për të gjetur një avokat. Do të duhen shumë muaj për të bërë intervistën e parë sepse ka shumë njerëz.

Vitin e kaluar, 28.526 persona kaluan kanalin me varka të vogla. Kjo shifër është gati të dyfishohet këtë vit. Javën e kaluar 696 migrantë mbërritën në një ditë të vetme, një numër rekord ditor për vitin 2021.

Vitin e kaluar, Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Priti Patel nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për të kthyer shtetasit e saj nëse nuk kishin të drejtë të qëndronin. Pothuajse 1000 janë hequr deri më tani.

 “Postimet në mediat sociale që promovojnë kalime të paligjshme janë krejtësisht të papranueshme. Ne po shikojmë të reformojmë sistemin që përdorim për të identifikuar viktimat e skllavërisë moderne, në mënyrë që të mund të mbështesim viktimat e vërteta duke u siguruar që sistemi të mos keqpërdoret”, tha Patel për hetimin e The Sun.

Top Channel