Superkupa e Evropës/ UEFA në alarm, fansat e Eintrachtit pritet “të pushtojnë” Helsinkin

08/08/2022 22:47

Finalja e Champions League, në Paris, mes Realit të Madridit dhe Liverpoolit, ka hyrë në histori si finalja e incidenteve për shkak të organizimit kaotik, grabitjeve të tifozëve në dalje të “Stade de France” dhe problemeve të hyrjes në stadium, çka bëri që loja të vonohej gjysmë ore.

Prandaj, sytë janë te finalja e kësaj të mërkure në Helsinki, Real Madrid – Eintracht Frankfurt, në Superkupën e Evropës, e para e organizuar nga UEFA pas majit të kaluar.

UEFA e ka të qartë se duhet të jetë shumë e vëmendshme ndaj të dy tifozërive, por veçanërisht ndaj asaj të Eintrachtit. Dhe jo vetëm sepse dp të jenë më të shumtë në numër, por edhe sepse ultrasit e kësaj skuadre kanë shkaktuar incidente muajt e fundit. Pa shkuar më larg, në finalen e Europa League-s, e zhvilluar në Sevilla, kundër Glasgow Rangers.

Në Helsinki pritet të jenë 10 mijë tifozë të skuadrës gjermane dhe vetëm 1800 madrilenë. Problemi është se mund të tentojnë të hyjnë në stadium shumë më tepër. Siç ndodhi në “Camp Nou”, me mitikun katalan që u “zbardh” nga prania e fansave të Eintrachtit (mbi 30 mijë tifozë miq).

Për ndeshjen e Helsinkit, ka më shumë gjasa që tifozët e Eintrachtit të kenë marrë më shumë bileta që janë shitur për publikun vendës. “Helsinki Olimpico” ka kapacitet prej 31 500 shikuesish dhe nuk ka dyshim se klubi gjerman do të ndihet sikur luan në shtëpi.

Top Channel