Një ditë pas bllokimit të daljes në det të mjeteve motorike, kanë protestuar edhe pronarët e mjeteve ujore në Durrës.

Urdhri verbal për bllokimin e lundrimeve të mjeteve motorike në pikun e sezonit është kundërshtuar gjerësisht prej tyre, pasi po u shkakton dëm ekonomik, ndërsa nuk kanë një shkresë zyrtare me anë të së cilës të kërkojnë dëmshpërblim, pasi janë të licensuar për ushtrim aktiviteti dhe taksapagues të rregullt.

Protestuesit:

“I kemi me telekomandë mjetet dhe shumë të sigurta. Asnjë problem s’kemi pasur që në 2009-n. Na kanë bllokuar. Taksa, detyrime po i paguajmë çdo ditë. Nuk e di pse po ndodh kjo. Kontrolle kemi pasur pafund. Jemi në rregull po zgjidhje nuk ka. Sezoni po mbaron. Është padrejtësi e madhe. Të paktën të na japin një shkresë t’i drejtohemi gjykatës për dëmshpërblim”.

“Skafet vazhdojnë të qarkullojnë, ndërsa jet ski-të janë ato që pezullohen. Motorët e ujit nuk kanë pasur asnjëherë aksidente, sepse janë nën kontrollin e telekomandave. Mjetet që bëjnë aksidentet dhe na penalizojnë vazhdojnë të qarkullojnë”.

Subjektet u mblodhën para Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në portin e Durrësit, por nuk morën një përgjigje për zgjidhjen e situatës së krijuar, sipas tyre padrejtësisht dhe që po u shkakton dëme të shumta ekonomike dhe në imazh, ndërsa edhe pak javë kanë mbetur nga sezoni turistik.

Top Channel