Dy sasi kanabis, njëra me 77 kg dhe tjetra me 300 kg u kapën gjatë së hënës në zonën kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Sipas policisë greke, në operacionin e parë të zhvilluar në zonën kufitare pranë Qaf Botës në Igumenicë, policia arrestoi një shtetas shqiptar pasi në automjetin e tij me targa greke u gjet sasia prej 77 kg kanabis sativa.

I pyetur prej agjentëve ai pranoi se lëndën narkotike do ta dërgonte në Athinë ku edhe do të paguhej për transportimin e saj.

Policia thotë se vlera e drogës llogaritet në më shumë se 190.000 euro.

Ndërsa një tjetër sasi prej 300 kg kanabis u gjet në zonën kufitare në konën e Kozanit.

Sipas policisë lokale, sasia e drogës ishte fshehur në një kamionçinë e cila rezulton e vjedhur në zonën e Athinës. Drejtuesi i saj mundi të largohet sapo vuri re se po ndiqej prej agjentëve të policisë.

Mësohet se është bërë i mundur identifikimi i tij prej shenjave të gishtërinjve të lëna në makinë, dhe bëhet fjalë për një shtetas shqiptar me precedentë të mëparshme penalë.

Agjentët po punojnë për arrestimin e tij dhe zbardhjen e skemës së trafikut të lëndës narkotike.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel