Punoi një jetë, por shpërblimi që ka marrë nuk është i njëjtë me mundin që ka dhënë.

Kështu thotë nënë Sandra, sot 82 vjece, e që kujton me nostalgji vitet që kaloi duke punuar.

“Bëra dy vjet gjimnaz, nja dy shoqe bën profesionalen për rrobaqepsi dhe u bëra xheloze, e kisha pasion profesionin e rrobaqepses. U futa në punë në fabrikën e këpucve, ndejta 12 vite, pastaj kërkoi peliceria kur u hap për herë të parë, kërkoi punëtor të kualifikuar, i bëra dhe atje 22 vjet, dhe dola në pension. Sipas punës që është bërë, kanë qenë fabrikat me turne, ajri jo i rregullt, shpërblimi nuk është normal”.

Pensionet e ulta janë një shqetësim aktual për shumë të moshuar, shqetësim ky që po ndihet edhe më shumë me rritjen e cmimeve që ka ndodhur së fundmi.

“Ishin paga të vogla por mos harrojmë që sic ishin pagat ishin dhe cmimet, ateherë unë me 80 lekë bleja një kile djath tani do 8 mijë lekë për një kile djath. Pagat ishin 4500-500, me norme arrije dhe me 6, frenoheshim mos ta tejkalonim normën se digjej ai që nuk e arrinte dot. Pensionin e kam 187 mijë lekë”.

Rritja e cmimeve e ka bërë jetesën të papërballueshme për një pjesë të shoqërisë, të cilët ndonëse kanë vite që punojnë, sërish nuk mund t’i permbushin familjes të gjitha nevojat.

 “Ne shqiptarët nuk kemi qenë ndonjëherë të kamur, ata që kanë qenë me rrënjë të kamur janë sot e do jenë përhera”.

Sipas një studimi të Eurostat 74.7% e popullsisë në moshë pune në vendin tonë, rrezikojnë të bien në varfëri.  Kjo është përqindja e shkallës së rrezikut nga varfëria sipas pragut të varfërisë dhe intensitetit të punës së familjes.  Intensiteti i punës pasqyron se sa kanë punuar të gjithë anëtarët e familjes në moshë pune në krahasim me potencialin e tyre të plotë. Në përgjithësi, sa më i lartë të jetë intensiteti i punës brenda një familjeje, pra sa më afër punësimit të plotë janë njerëzit, aq më i ulët është probabiliteti për të qenë në rrezik të varfërisë.

Top Channel