Gjykata e Durrësit caktoi ”arrest në burg” për kapitenin dhe motorristin e anijes së peshkimit, të akuzuar për kontrabandë nafte në tentativë.

Nga hetimet rezulton se nafta është marrë në Libi për t’u kontrabanduar për arsye fitimi, po të arrestuarit nuk e pranuan akuzën duke deklaruar se nafta u ble lirë vetëm për nevojat e anijes në muajt e ardhshëm dhe se ajo nuk ishte nxjerrë jashtë territorit doganor kur autoritetet e sekuestruan peshkarexhën në portin e Durrësit.

Anija kishte dalë për gjueti më 14 korrik në ujërat ndërkombëtare dhe se më pas kapiteni e ka këmbyer peshkun me naftë në Bengazi të Libisë, ku litri i naftës kushton 25 cent ose 10 herë më pak se në tregun shqiptar. Një ditë pas futjes në port, më 23 korrik anija u sekuestrua nga policia me 72 mijë litra naftë të padeklaruara.

Nga hetimet rezultoi se ajo kishte shkuar në Libi me një ekuipazh rastësor, të krijuar vetëm një ditë para lundrimit. Kapiteni nuk kishte njoftuar dispeçerinë e peshkimit, ndërsa kishte të fikur edhe pajisjen e monitorimit, për të cilën ai pretendoi se anija nuk e ka.

11 ditë pas sekuestrimit u ndaluan dy pjestarët e ekuipazhit, Flamur Aliu, 65 vjeç, kapiteni i peshkarexhës, dhe motorristi Nuri Xheka, 53 vjeç, të cilët deklaruan se janë paraqitur vetë në policinë gjyqësore.

Në kërkim për këtë çështje vijon të jetë Alban Malindi 38 vjeç, administrator i peshkarexhës që rezulton të ketë dalë nga territori shqiptar më 7 korrik, para nisjes së anijes për në Libi.

Në seancën e së shtunës, kapiteni i anijes u mbrojt nga avokat Ilir Malindi, familjar i administratorit të anijes i cili tha se do të ankimojë vendimin e gjykatës pasi nuk ka prova për akuzën.

 

Top Channel