Mediat do të jenë në shënjestrën e tatimeve për mosdeklarim real të pagave të punonjësve. Tatimet kanë njoftuar se do të nisin kontrollet në terren pasi media është vlerësuar si sektor me risk.
Sipas Administratës Tatimore, kontrollet që do të zhvillohen në kuadër të luftës kundër informalitetit të pagave do të shtrihen po ashtu edhe në sektorin e Shoqërive të Sigurimeve si dhe në atë të institucioneve të arsimit privat në vend.
Kjo pasi sipas saj janë konstatuar se për shumë punëmarrës është deklaruar pagë minimale dhe për një pjesë tjetër pagat e tre janë deklaruar ndjeshëm më të ulëta se mesatarja e tregut për këto aktivitete.
Tatimet deklarojnë se këto sektorë janë vlerësuar me risk për nëndeklarimin e pagave dhe nuk iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së Administratës Tatimore për të bërë deklarimin real të tyre me iniciativën e dhjetorit të vitit të kaluar .
Publikimi i pagave në fund të vitit të kaluar nxori në pah informalitetin e lartë në tregun e punës.
Për shkak të evazionit të lartë, qeveria së fundmi vendosi të ashpërsojë edhe masat ndaj bizneseve të mëdha që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre duke dyfishuar gjobat për subjektet që bëjnë evazion duke fshehur pagat.
Pak kohë më parë po ashtu qeveria ngriti edhe njësinë Antiinformalitet, e cila ka identifikuar së fundmi edhe këto sektorët ku do të shtrihet plani antiinformalitet i Tatimeve, veç ndërtimit dhe tregtisë që ishin përcaktuar edhe më herët si sektorë me risk të lartë nga Administrata Tatimore.
Top Channel