“Vrasje me dashje”/ Prokuroria e Vlorës kundër policisë që e klasifikoi “nga pakujdesia”

04/08/2022 15:03
Autori Arjan Tase

Teksa zyrtarët dhe ish-zyrtarët më të lartë po ngushëllojnë të afërmit e Jonadës së vogël në Laprakë, prokuroria e Vlorës ka vendosur t’i dalë kundër policisë dhe të rëndoje akuzën ndaj komisarit që është autor i kësaj ngjarjeje.

Nga vrasje nga pakujdesia prokuroria e referoi Arjan Tasen për akuzën e vrasjes me dashje.

Prokurorja e çështjes Eranda Laze, sipas burimeve pranë gjykatës së Vlorës thotë se i dyshuari për vrasje me dashje të Jonada Avdise, ishte në dijeni të plotë të rrezikimit të jetës së pushuesve në momentin që ai vendosi të lundrojë brenda perimetrit të ndaluar.

Për këtë prokurorja sjell në vëmendje provën që policia ka përfshirë në fashikull, atë të një patente që ish-zyrtari i policis që dispononte për drejtimin e një mjeti lundrues.

Nga ana tjetër prokurorja i del kundër policisë lokale duke kujtuar se pikërisht paralajmërimet e pushuesve përpara se të ndodhte ngjarja duhet ta kishin shtyrë të dyshuarin të tregohej i kujdesshëm dhe jo të manovronte për tu larguar, një veprim i cili solli pasojën fatale, atë të vdekjes së vogëlushes.

Si prova prokurorja sjell dëshmitë e dëshmitarëve okularë në Potam dhe të provave që u fiksuan në vendngjarje.

Në dosje gjendet edhe dëshmia e komisarit të Elbasanit që shfaqet i penduar dhe që tregon se gjithçka ndodhi aksidentalisht pasi mjeti  lundrues i doli nga kontrolli.

Megjithatë prokuroria deklaron se do të kërkojë arrest me burg për policin, gjatë një seance që pritet të mbahet në gjykatën e qytetit bregdetar në orët në vazhdim.

Top Channel