Protestuesit-Kryeministrit: Nëse deri ditën e hënë nuk shkarkohen Çuçi, Kumbaro dhe Nano, do vijojmë me protesta të pandalshme

04/08/2022 20:39

Protestuesit i kanë lënë 72 orë kohë kryeministrit Edi Rama që të shkarkojë nga detyra ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe ministren e  Turizmit, Mirela Kumbaro.

Nëse kjo nuk ndodh, ata lajmërojnë se do të vijojnë me protesta të pandalshme.

“Nëse deri ditën e hënë kryeministri nuk shkarkon Çuçin, Nanon dhe Kumbaron ne do të vijojmë me protesta të pandalshme, vrasja e Jonadës nuk mbyllet këtu, do të kërkojmë drejtësi. Rama mund të thotë nuk dua por njerëzit erdhën me vrap, tek ajo derë kryeministrie nuk do të ketë më qirinj, por do t’i vëmë zjarrin. 72 orë kohë për drejtësi për shkarkimin e dy ministrave dhe kreun e policisë, 72 orë kohë për drejtësi”, thanë protestuesit.

Protesta për Jonadën, vajzën 7-vjeçare e cila u godit nga gomonia që drejtohej nga komisari Arjan Tase u mbyll pas rreth dy orësh më Tiranë.

Qytetarë, fëmijë, Shoqëria Civile dhe politikanë të opozitës protestuan fillimisht para Ministrisë së Brendshme nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti”, e më pas u zhvendosën para Kryeministrisë dhe në fund tek Presidenca.

Kjo protestë vjen pas tragjedisë së ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku vogëlushja 7-vjeçare, Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.

 

Top Channel