Në kulmin e sezonit turistik, grosistët e pijeve freskuese lajmërojnë rritjen e çmimeve 5-10%

04/08/2022 08:13

Grosistët e pijeve freskuese kanë lajmëruar këto ditë tregtarët e pakicës se do të rrisin çmimet e produkteve këtë muaj.

Linjat e pakicës janë njoftuar se, rritja e çmimeve do të jetë 10-20% për lloje të ndryshme të paketimeve.

Rritja më e madhe do të jetë për lëngjet e frutave në kanaçe, që do të kushtojë 80 lekë nga 60 lekë që shiten aktualisht. Rritje është lajmëruar edhe në pijet e tjera freskuese.

Vendi është në kulmin e sezonit turistik dhe kërkesa për pije freskuese shënon rritje jo të zakontë edhe për shkak të temperaturave të larta. Grosistët po e shfrytëzojnë këtë periudhë për të transferuar kostot e rritura të lëndëve të para gjatë këtij viti.

Vala e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe pijeve nuk po ndalet. Këto ditë kompanitë e prodhimit të bulmetit rritën njëkohësisht çmimet e produkteve kryesore të qumështit dhe kosit, teksa në tregu po përballet me krizë të furnizimit me djathë.

Prodhuesit e pijeve freskuese kanë pohuar këto ditë, se kostot e prodhimit janë rritur me nga 15-20%. Por ndërkohë tregu i këtyre produkteve po përballet me krizë të shumëfishtë që po vjen nga kostot e lëndëve të para dhe rënia e konsumit dhe ndryshimi i stilit të jetesës.

Popullsia e Shqipërisë po tkurret nga viti në vit nga emigracioni i lartë i moshave të reja që janë konsumatorët kryesorë të pijeve freskuese. Ikja e njerëzve krijon deficit të menjëhershëm në konsum, i cili po reflektohet jo vetëm tek pijet freskuese, por tek të gjitha produktet e tjera.

Gjithashtu prirja për t’u ushqyer shëndetshëm po ndikon negativisht tek konsumi i pijeve freskuese të cilat kanë në përbërje të tyre sheqer të shtuar. Kjo tendencë është rritur meë tej pas pandemisë Covid-19.

Grupi AGNA është detyruar të shtrenjtojë çmimet e pijeve freskuese këtë vit nga 6 deri në 10% më herët ketë vit. Përfaqësuesit e kompanisë shprehen se shtrenjtimi i çmimeve ka tkurrur konsumin, ndërsa pritshmëritë e stinës së verës nuk janë të kënaqshme.

Çmimet janë rritur edhe nga kompania Coca-Cola Bottling Shqipëri, CCBS. “Duke iu referuar vetëm të dhënave numerike, rritja e kostove të prodhimit me 18%, krahasuar me rritjen që pësuan produktet tona me vetëm 6,5%, kuptojmë një hendek prej 11,5% që u mbulua tërësisht nga kompania.

Një boshllëk i mbushur me humbjen e rentabilitetit nga ana e CCBS, e cila vendosi, sipas politikës së kompanisë, të mos spekulojë mbi spekulime, në përpjekje për të kompensuar rritjen e kostove, duke ruajtur përdoruesin përfundimtar”, shpjegoi pak ditë më parë për Monitor, presidenti i kompanisë CCBS, Luca Busi./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA