Robert Matthew Berkopec është dënuar me dhjetë vjet burg në SHBA pasi rrahu barbarish një punonjës supermarketi në vendin e punës, duke e lënë të mbuluar në gjak.
Burri që njihej në komunitet si “ai me gjysmë koke”, ishte bërë i dhunshëm duke sulmuar pa ndonjë arsye të dukshme punonjësin e supermarketit në Montana, në SHBA.
Çuditërisht dje në gjykatë i akuzuari i lutej gjykatësit të mos e dënonte me burg pasi ambjenti aty ishte “plot dhunë e armiqësi”.
Por duke mos i vënë re ankesat e Berkopec, gjykatësi e dënoi atë me 10 në burgun shtetëror të Montana, duke i thënë se ishte vetë dhuna e tij që e kishte çuar atje.
Gjykatësi Robert Whelan tha: “Ti ke një problem me menaxhimin e zemërimit që është dukshëm një rrezik për shoqërinë”.
Konflikti kishte nisur për çmimin e një filxhani kafeje, gjatë të cilit Berkopec kishte përplasur punonjësin në derën e zyrave të menxherit, aq sa e dashura e tij kishte nisur të qante.
Më pas Berkopec kishte qëlluar disa herë me grusht punonjësin në kokë dhe ishte larguar nga vendngjarja.
Menaxheri më pas kishte dalë nga zyra e tij dhe kishte gjetur punonjësin të shtrirë përtokë të mbuluar me gjak.
Punonjësi tashmë është rekuperuar nga plagët.
Policia arriti shpejt të gjurmonte Berkopec, i cili pranoi sulmin.
Prokurorja Ann Shea tha në gjykatë: “Ne besojmë se i akuzuari, i cili ka precedentë të tjerë dhune, ka një tendencë drejt saj. Ai gjithmonë krijon viktima”.
Avokati i Berkopec pretendonte se në vend të burgut, Berkopec duhet t’i ofrohet një shans rehabilitimi.
Berkopec miratonte avokatin duke thënë se “Kam nevojë për ndihmë me menaxhimin e zemërimit” ndërsa shtonte se ka një djalë të vogël që ka nevojë për babanë e tij.
Top Channel