“Nuk e vrau varka, por shteti”/ Vdekja e 7-vjeçares në Potam, qytetarët lajmërojnë protestë përballë Ministrisë së Brendshme

03/08/2022 10:25

Qytetarët, të revoltuar nga mungesa e sigurisë në plazhe dhe të zhgënjyer nga mosmbajtja e përgjegjësisë për raste të përsëritura në vendin tonë kanë lajmëruar një protestë përballë Ministrisë së Brendshme.

Një gomone që lundronte pranë bregut të detit në Potam, e drejtuar nga një polic, i mori jetën shtatë vjeçares që po lahej në breg. Me moton “Nuk e vrau varka, por shteti”, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë bërë thirrje për t’u bashkuar këtë të enjte në orën 19:00 jashtë Ministrisë së Brendshme.

Reagimet e aktivistëve, gazetarëve, personazheve të njohur, politikanëve dhe qytetarëve për tragjedinë e një dite më parë janë të shumta. Kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar e cilësojnë vrasjes e vogëlushes, pasi brenda tre javëve ka pasur tre aksidente të shkaktuara nga motorët e ujit në jug të vendit.

Top Channel