Dy nga tre personat e shpallur në kërkim për naftën kontrabandë në Portin e Durrësit janë kapur nga policia.

Nafta ishte blerë në Libi dhe futur në vend kontrabandë për qëllime fitimi, po ndërhyrja e policisë kufitare bllokoi aktivitetin e paligjshëm dhe nisën hetimet për rastin.

Pasditen e së mërkurës, kapiteni dhe mekaniku i peshkarexhës ”AnyWay” u kapën nga policia pas një informacioni mbi vendndodhjen e tyre. Ata qenë shpallur në kërkim bashkë me administratorin e anijes Alban Malindi 38 vjeç.

Peshkarexha u sekuestrua më 23 korrik në ish-kantierin detar të portit të Durrësit me 80 mijë litra naftë kontrabandë dhe policia shpalli në kërkim ekuipazhin e peshkarexhës, përkatësisht  administratorin, kapitenin dhe mekanikun e anijes.

Nga hetimet ka rezultuar se në mesin e muajit të kaluar peshkarexha kishte dalë në det për gjueti, por ka shkuar në Libi ku ka blerë karburant me çmim të lirë për ta tregtuar më pas në Durrës për qëllime fitimi.

Policia e Durrësit  organizoi operacionin ”Diesel” dhe nga hetimet rezultoi se anija e peshkimit kishte dalë në det, pa njoftuar autoritetet, ndërsa kishte fikur edhe pajisjen e monitorimit satelitor.

Tre personat e shpallur në kërkim kishin përshtatur, një depozitë, në peshkarexhë, për naftën e kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, si dhe kishin ankoruar peshkarexhën pa njoftuar në zonën e ish-kantierit detar në portin e Durrësit.

Peshkarexha së bashku me 80.000 litra naftë të dyshuara të kontrabanduara është bllokuar ndërsa pas 11 ditësh nga operacioni u kapën dy pjesëtarët e ekuipazhit të saj Flamur Aliu, 65 vjeç, kapiteni i peshkarexhës, dhe Nuri Xheka, 53 vjeç, mekaniku, por nuk është kapur ende Alban Malindi 38 vjeç, administrator i peshkarexhës, që dyshohet se ndodhet jashtë territorit shqiptar.

Top Channel