Agustin Sefa, 31-vjeçari i cili po pushonte në jug të vendit me të fejuarën e tij, i shpëtoi vdekjes pasi u godit nga një skaf buzë bregut të detit dhe që prej datës 16 korrik ai vijon të marrë trajtimin mjekësor në spitalin ushtarak në Tiranë sepse ka dëmtime të  rënda.

Këto janë pamjet e trupit të  lënduar të 31-vjeçarit në pavijonin e kirurgjisë  në  spitalin e Traumës.

Ai është fatlum që  i ka mbijetuar aksidentit përgjatë  pushimeve, por që  në  një  intervistë  ekskluzive për Top Channel tregon tmerrin e përjetuar nga dhimbjet e plagëve të rënda.

Gjendja e tij shëndetësore është  përmirësuar operacion pas operacioni, por që sërish për shkak të një pakujdesie jo nga ana e tij, organet e brendshme i ka të  dëmtuara duke i pamundësuar ecjen.

Pranë  shtratit i qëndron gjatë gjithë  kohës e ëma, e cila përveç vështirësive ekonomike po vuan bashkë me dhimbjet e të birit.

Plagët e Agustin Sefës nga mjeti lundrues

 “Unë  kam qenë  në  gjendje kome, nuk mbaj mend asgjë , kam gati 10 ditë  në  gjendje kome edhe tani kam ardhur në  vete. Por kam shumë  dhimbje e tani do vijë  ajo(mjekja) të  më  bëjë  qetësues”, tha Agustini.

-Po e dashura juaj si është ?

“Ajo është  pak më  mirë , ka dalë  nga spitali. Ndërsa unë  kam gati 16 ditë  jam dëmtuar në  bark dhe në  këmbë”, tha ai.

 “Unë  kam qenë  në  shtëpi, kur e morëm vesh e përjetuam shumë  keq”, tha e ëma e Agustinit.

-A ju ka ardhur dikush nga institucionet?

“Nuk e di fare, unë  kam ardhur veç këtu te çuni. Shteti i merr masat vetë , nuk di asnjë  lloj gjëje!”, tha gruaja.

Për 10 ditë në  gjendje kome, Agustini ia doli të ishte fatlum prej përplasjes nga gomonia pas manovrave të rrezikshme që  kreu drejtuesi i mjetit  dhe u rikthye në  jetë.

Por pavarësisht se ishte ky rasti i parë  i aksidenteve ujore gjatë këtij sezoni veror, nuk rezultoi të ishte i fundit. Përsëritja e ngjarjes me fund fatal për 7-vjeçaren, ka shqetësuar të  riun  i cili më  mirë  se kushdo e ka parë  këtë  tmerr me sytë  e tij.

“Me thënë  të  drejtën kur kam parë  ngjarjen e asaj gocës e kam hequr direkt, nuk e shihja dot. Më  erdhi keq shumë”, u shpreh Agustini.

Top Channel