Autori Arjan Tase

I kthyer sërish përballë drejtësisë,  Arjan Tase që mbante gradën e komisarit, ishte mes të preferuarve që ndonëse ishte lakuar edhe për vepra të tjera, ai u ngjit në karrierë lehtësisht.

Baba i dy fëmijëve dhe i vënë në akuzë për vrasje nga pakujdesia, Tase pati probleme me prokurorinë lokale gjatë kohës kur mbante detyrën e shefit të Himarës, atëherë kur policinë e shtetit e drejtonte Ardi Veliu.

Akuza ndaj tij dhe katër kolegëve të komisariatit të Himarës , ishte ajo e shpërdorimit të detyrës pasi u konstatuan zona të tëra në Labëri ku ishte kultivuar kanabis sattiva.

Ndaj tij në atë kohë u kërkua pezullim nga detyra pasi kishte dyshime se me veprimet dhe mos veprimet si zyrtar policie kishte favorizuar mbjelljen e gati 12 mijë rrënjëve bimë narkotike në njësinë Horë Vranisht.

Por ndonëse hetimi bazohej në një aksion të 2020-ës që zbuloi parcelat nga njëra anë dhe mos veprimin e policisë nga ana tjetër, në përfundim hetimi ndaj Arjan Tases dhe Artur Veshajt, Ilid Kadënit , David Fakajt dhe Isa Jacajt u mbyll me pushim të çështjes pasi akuza nuk provoi dot përfshirjen e shefit të Himarës në këtë veprimtari.

Arjan Tase u ngrit në detyrë me urdhër të Gledis Nanos i cili e emëroi shef të policimit në qarkun e Elbasanit deri ditën kur ai teksa ishte me pushime me familjen, dhe teksa kishte në mjet lundrues edhe armën e shërbimit goditi për vdekje me mjetin lundrues fëmijën 7 vjeç. Prokuroria thotë se do kërkojë arrest me burg për akuzën e vrasjes nga pakujdesia ashtu si e ka referuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Top Channel