Detaje nga tragjedia në Potam/ Arjan Tase ishte i pajisur me leje për drejtimin e mjetit lundrues, por i mori jetën me gomone 7-vjeçares

03/08/2022 09:38

Arjan Tase që aksidentoi për vdekje me gomone një vajzë në plazhin e Potamit ka qenë i pajisur me leje për drejtimin e mjetit lundrues që në vitin 2017.

Top Channel mëson se gomonia e fuqishme “Nëna 154”, që i mori jetën shtatë vjeçares është e regjistruar në emër të djalit të xhaxhait të Tases, Adhurim Kushit, sipas dokumentacionit.

Si ndodhi tragjedia në Potam?

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth mesditës, kur Arjan Tase përplasi me gomone vogëlushen përpara prindërve të saj.

Goditja ishte aq e fortë, sa 7-vjeçarja ndërroi jetë në vend, ajo u copëtua nga helikat e gomones që eci mbrapsht drejt bregut.

Qindra pushues të irrituar nga ngjarja sulmuan verbalisht Arjan Tasen, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Elbasan.

Efektivët e policisë arrestuan kolegun e tyre dhe e shoqëruan atë në komisariatin e policisë Himarë.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit, Gledis Nano përjashtoi nga radhët e uniformave blu të Arjan Tases si dhe pezulloi nga detyra Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit Vlorë, Shpëtim Hasanalia.

Kjo ndoshta ishte një ngjarje e paralajmëruar, pasi këtë verë janë shënuar disa incidente të ngjashme, për fat pa viktimat. Por gjithsesi, autoritet nuk e prishën terezinë dhe lejuan mjetet lundruese t’i afrohen bregut, edhe pse është e ndaluar me ligj.

Ligji parashikon që mjetet motorike të lundrojnë jo më pak se 300 metra nga bregu. Në rastin e Potamit, ligji nuk është respektuar, sepse gomonia i mori jetën vajzës së mitur vetëm pak metra nga bregut dhe në pamje shihet se mes çadrave të pushuesve, është stacioni nga ku administrohen gomonet dhe motorët e ujit.

Policia si rregull ka detyrimin ta ndalojë këtë shkelje. Por shkelja mbi shkelje është se këtë e bëri pikërisht një polic, që kishte hequr uniformën përkohëshit për pushime. Ai i hipi gomones që duhet ta bllokonte dhe i mori jetën një 7-vjeçareje, që po lahej pak metra nga shezlongu i prindërve.

FOTO GALERI
1/11
Pamje Pamje nga vendngjarjanga vendngjarja

Top Channel