“Qëndrimi për Kosovën nuk ndryshon”, Sancez deklaratë në Tiranë/ Rama: Vuçiç mos t’i ushqejë tensionet!

01/08/2022 15:34

Marrëdhënia miqësore me Presidentin e Serbisë nuk e pengoi Edi Ramën t’i kërkonte Aleksander Vuçiç që të mos nxiste tensione në veri të Kosovës.

“Unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd, Presidentit të Serbisë që të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi dhe asnjë lloj alibie, grupe të caktuara në veriun e Kosovës, që për arsye të tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje, që jo vetëm duhet zbatuar, por është e vlefshme të zbatohet edhe për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Qeveria e Kosovës ka të drejtën, jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën, që të zbatojë marrëveshjet, duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit”, tha Rama.

Por, këto thirrje Kryeministri Edi Rama i bëri krah homologut spanjoll Pedro Sanchez, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë  e Kosovës. Mirëkuptimi mes dy kryeministrave nuk ndryshoi qëndrimin kundërshtues të Spanjës.

“Miqtë e mirë mund të kenë diferenca mes njëri-tjetrit. Ne mendojmë që ka një deklarate e njëanshme për pavarësi dhe  është shkelur e drejta ndërkombëtare, ndaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi. Me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar, por ky është një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare. Kjo nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar ndaj Bashkimit Europian”, tha Sanchez.

Skeptizimi i Spanjës, por edhe vendeve të të cilat nuk njohin e as nuk pranojnë rrugëtimin euroatlantik të Kosovës, Edi Rama është i bindur se mund të thyhet vetëm përmes dialogut Prishtine Beograd.

“Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të jetë shumë e angazhuar në dialogun me Serbinë. Edhe sikur Serbia të mos dojë, Kosova duhet ta kërkojë dialogun pa pushim, pa pushim, pa pushim. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi me aleatët strategjikë, me Shtetet e bashkuara, me Bashkimin Europian është domosdoshmëri dhe mbi të gjitha pa atë dialog dhe pa njohjen reciproke, strategjikisht e ardhmja nuk është aq e ndritur sa mund të ishte. Kosova ka mbeshtetjen time dhe tonën 100%. Ka bërë dy herë gjënë e duhur, e para që ka kërkuar të implementojë marrëveshjen dhe e dyta që e ka shtyrë. Por, thënë kjo, dialog, dialog, dialog. Paqe, paqe, paqe”, u shpreh Rama.

Kosova ishte pjesë e bisedës që kryeministri spanjoll pati edhe me Presidentin Bajram Begaj. Kreu shtetit e cilësoi Kosovën si një realitet të pakthyeshëm politik.

Top Channel