Vijojnë flakët në Finiq! Forcave zjarrfikëse i vijnë në ndihmë dy avionë nga Greqia, dëmtohen 30 ha pyje dhe rreth 270 ha kullotë

31/07/2022 21:33

Vijojnë të luftojnë me flakët në malin e Sopotit forcat zjarrfikëse shqiptare, efektivë të ushtrisë dhe dy avionë e dy helikopterë të ardhur nga Greqia

Dy mjete fluturuese rifilluan punën rreth orës 13 të mesditës së dielë pasi kishin punuar për gjatë gjithë natës. Zjarri të shtunën kërcënoi prona dhe banesa në të paktën 5 fshatra.

Zjarri po djeg një hapësirë të gjerë kullote disa kilometra larg fshatit Kardhikaq në Delvinë. Operacionet synojnë të krijojnë një brez sigurie përgjatë zonës së mbrojtur të Syrit të Kaltër.

Nga përllogaritjet  e deritashme në terren, rezulton se zjarri ka shkaktuar djegjen e 30 ha pyje dhe rreth 270 ha kullotë. Zjarri gjendet rreth 500 m në vijë ajrore nga fshati Pecë dhe 1,5 km nga fshati Muzinë i bashkisë së Finiqit.

Pas shuarjes së zjarreve në ishullin e Sazanit dhe Malin e Çikës, Greqia i është përgjigjur në mënyrë të menjëhershme kërkesës së bërë nga Shqipëria në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Agjencia e Mbrojtjes Civile shqiptare njofton se falë punës së palodhur të strukturave të mbrojtjes civile dhe reagimit të shpejtë të fqinjëve tanë grekë me dy avionë PZL M18 u bë e mundur shuarja e zjarrit në zonën e Dropullit dhe shmangia e rrezikut për banesat.

Aktualisht dy avionët grekë po ndihmojnë forcat zjarrfikëse dhe strukturat e Mbrojtjes Civile për shuarjen e zjarrit në bashkinë Finiq.
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile Evropiane ka përqendruar në Greqi një pjesë të resurseve të tij, për t’u ardhur në ndihmë shteteve evropiane në periudhën e verës, kur edhe risku nga zjarret është i lartë.

Top Channel