Tri vatra aktive në vend, në Bogë, Rehovë dhe Goranxi/ Në Dropull ndërhyrje nga ajri, jashtë rrezikut banesat

31/07/2022 11:25

11 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë, ndërsa tre janë aktualisht aktive.

Vijojnë aktive vatrat në fshatin Bogë, bashkia Malësi e Madhe, ndërsa vijojnë punën forcat e Adzm dhe të bashkisë për normalizimin e situatës.

Në fshatin Rehovë të Poliçanit, ku me gjithë punën e forcave zjarrfikëse dhe bashkiake nuk u bë e mundur fikja e saj dhe sot ne orët e para te mëngjesit ka vazhduar operacioni me mbështetjen edhe të 50 efektivëve të FA.

Edhe në fshatin Goranxi të Dropullit, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me barishte dhe pemë me lartësi 3-4 metra.

Zjarri i ndihmuar dhe nga era mori përmasa të menjëhershme duke rrezikuar fshatrat Derviçan, Frashtan dhe Grapsh.

Në zonë ndërhynë mjete zjarrfikëse nga bashkitë Libohovë, Gjirokastër, Këlcyrë, Përmet, Memaliaj, Sarandë, Finiq dhe Forcat e Armatosura. U angazhuan 144 forca operacionale dhe 12 mjete zjarrfikëse.

Në bashkinë Dropull është aktivizuar sistemi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të  Bashkimit Evropian (ERCC), nga ku Greqia ka ofruar asistencë me dy avionë për ndërhyrje nga ajri.

Me ndërhyrjen nga ajri dhe toka përgjatë gjithë ditës së djeshme edhe deri sot është bërë e mundur mbajtja jashtë rrezikut e banesave dhe banorëve.

Sot në orët e para të mëngjesit ka filluar ndërhyrja nga ajri me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe dy avionëve të qeverisë greke.

Për shuarjen e zjarreve gjatë 24 orëve janë angazhuar 255 forca operacionale nga Shërbimi i Mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, AdZM, sherbimi pyjor, forca vullnetare si dhe 28 mjete zjarrfikëse dhe mjete te tjera operative.

Pamje nga zjarri në Dropull

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë shuar tetë vatra.

U bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave:
në fshatin Dhores, bashkia Skrapar;
në vendin e quajtur Ligata, bashkia Elbasan;
në fshatin Sovjan, bashkia Maliq;
në fshatin Derven Kodër, bashkia Krujë;
në fshatin Saver, bashkia Lushnje;
në vendin e quajtur Berdenesh, bashkia Sarandë;
në fshatin Gumenicë, bashkia Selenicë,
ne fshatin Ndershen, bashkia Mirdite.

Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin, sipas ministrisë.

“Ju lutemi qytetarëve raportoni menjëherë vatrat e zjarrit pranë çdo strukture te sistemit te mbrojtjes civile. Çdo njoftim i juaj për vatrat e zjarreve apo fatkeqësi të tjera do të vejë menjëherë në lëvizje sistemin e mbrojtjes civile duke bërë aktivizimin e forcave operacionale në nivel vendor dhe qendror në mënyrë që ato të izolohen sa më parë, për të mos rrezikuar të çojnë në dëme të pallogaritshme. Gjithashtu rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit”, bën thirrje ministria.

Top Channel