Inaugurohet Terminali i ri në Aeroportin “Nënë Tereza”/ Rama: Investim që vjen në kohën e duhur, i përgjigjet kërkesave në rritje të numrit të pasagjerëve

31/07/2022 20:18

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” u inaugurua sot Terminali i ri, prej 5 mijë metër katrorë, pjesë e një investimi të përgjithshëm prej rreth 38 milionë euro të kryer në 1 vit e gjysëm, me objektivin për ta shndërruar Aeroportin e Rinasit në portën hyrëse për të gjithë rajonin. 

Rriten në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet përpunuese, shtohen 8 porta të reja, hyn teknologjia në leximin e pasaportave. Të gjitha këto për të shtuar komoditetin e pasagjerëve dhe për të përballuar fluksin gjithmonë në rritje.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në inaugurimin e Terminalit të Ri së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Në përshëndetjen e mbajtur, Kryeministri u shpreh se ky është një investim i mirëseardhur, i cili vjen në kohën e duhur dhe i përgjigjet më së miri kërkesave me një rritje të jashtëzakonshme të numrit të pasagjerëve.

Fjala e Ramës: 

“Është një investim shumë i mirëseardhur për shkak se aeroporti po përballej me një presion të jashtëzakonshëm si rezultat i rritjes, jashtë të gjitha parashikimeve, të numrit të pasagjerëve për t’u shërbyer. Sot, ky terminal i ri i ndërtuar në kohë rekord, i munguar prej shumë vitesh për shkak të një marrëveshjeje të mëparshme të trashëguar konçensionare me mjaft probleme dhe për shkak të një kompanie të huaj, e cila nuk i qëndroi korrekt detyrimeve, as për terminalin e ri, as për zgjatimin e pistës, as për lirimin e një numri të ri vendqëndrimesh të avionëve, gjë që sot është bërë realitet e as për hapësirat e nevojshme të parkimit, as për procesimet cilësor dhe të shpejta; të gjitha këto gjëra që sot po i shohim dhe po i prekim drejtpërdrejtë dhjetëra e qindra mijëra pasagjerët shqiptarë dhe të huaj që hyjnë e dalin në këtë aeroport. 

Sot është vënë në punë edhe sistemi i ri teknologjik i leximit të pasaportave në hyje, falë angazhimit të ministrit të Brendshëm, Policisë së Shtetit dhe kompanisë Kastrati, e cila qysh në ditën e parë të nënshkrimit të marrëveshjes së re, pasi bleu nga koncensionari i mëparshëm të drejtën e operimit, është angazhuar në të gjithë frontin e punëve që duhen bërë në këtë aeroport dhe nga nesër, besoj, të gjithë qytetarët shqiptarë, me pasaportën shqiptare që do vijnë në aeroportin e Rinasit, nuk do kenë një lexim manual të pasaportës me punonjësin e policisë që i shikon në sy, e pastaj sheh pasaportën, prapë i sheh në sy dhe prap shikon pasaportën, por kalon në barrierën digjitale me leximin digjital të pasaportës, një proces që zgjat më pak sesa gjysmë minuti, gjë që do lëhtësojë shumë të gjithë fluksin e hyrjeve.

E njejta gjë vlen për qytetarët e Bashkimit Europian, e njejta gjë vlen për ata që kanë pasaportë të Shteteve të Bashkuara apo të Kanadasë, e njejta gjë vlen edhe për ata që kasnë pasaportën e Britanisë së Madhe. Ndërkohë që, për gjithë të tjetër do vazhdojë të ketë një proces kalimi me lexim manual të pasaportës.

Jo vetëm kjo, por edhe siguria, e cila ka qenë një problem në këtë aeroport. E mbajnë mend shumë mirë të gjithë, besoj, me shqetësim dhe me revoltë, për hir të vërtetës për sa më takon mua, skandalin e futjes deri në pistë të një bande, e cila, për fat të mirë pastaj u vu prapa hekurave, si rezultat i mosplotësimit të standartit të sigurisë nga ana e kompanisë, e cila operonte dhe administronte aeroportin më parë. 

Kështu ndodh në të gjitha vendet. Policia e çdo vendi bën simulimet e nevojshme, jep sugjerimet e nevojshme, identifikon  pikat kritike dhe asiston operatorët në marrjen e të gjitha masave të sigurisë. Për fat të keq, kjo nuk ndodhi me koncensionarin e mëparshëm, ndërkohë që sot ne jemi shumë më tepër të sigurt në mënyrën se si operohet, edhe në aspektin e sigurisë në këtë aeroport.

Ashtu sikundër, falë edhe një plani shumë pozitiv, por edhe gadishmërisë së operatorit për ta zbatuar atë plan, është shtuar numri i punonjësve të policisë këtu dhe të gjitha këto janë në funksion të lehtësimit, përmirësimit, rritjes së cilësisë dhe shërbimit për pasagjerët. 

Aeroporti ka pasur një sfidë të madhe në një kohë që, globalisht, është shumë sifduese në të gjithë aeroportet e botës. Është një kohë vonësash të vazhdueshme kronike të fluturimeve kudo dhe për hir të vërtetës, ne mund të themi me plot gojë që në aeroportin tonë vonesat kanë qenë minimale dhe angazhimi dhe cilësia e shërbimit ka qenë e kënaqshme. 

Nuk e them unë, nuk e themi ne sepse edhe nëse do ishte e vërtetë dhe do të na mbetej neve për ta thënë, nuk besoj se do e thonim por është shifër e EuroControlit që flet për aeroportin e Tiranës në të gjithë tabelën e aeroporteve të Europës si aeroporti me rritjen më të lartë, relative kuptohet, në raport me vetveten, pas periudhës së goditjes nga pandemia dhe si aeroporti që sot është me kapërcim të nivelit të pasagjerëve që kishte në 2019.

Është një gjë jashtëzakonisht domethënëse. Shifrat dhe projeksionet tona kanë ndryshuar tërësisht sepse, sic e shpjegoi dhe ministrja, ne kemi prekur, si projeksion mbi bazën e këtij gjashtë mujori apo shtatë mujori të parë, një tavan  prej mbi 4 milion pasagjerësh, dicka jashtë çdo parashikimi, gjë që vjen për shumë arsye. Patjetër lidhet me lehtësimin e madh edhe financiar për pasagjerët, me uljen drastike të çmimeve, si rezultat edhe i politikës së re, të imponuar nga qeveria në marrëveshjen e re koncensionare, në uljen e disa komponentëvenë shërbimet e operatorit, si rezultat i rritjes së numrit të kompanive që fluturojnë në Shqipëri, si rezultat i transformimit të Tiranës në një destinacion kryesor, low cost për kompaninë WizzAir dhe patjetër edhe si rezultat i futjes në skemë të kompanisë sonë të flamurit, Air Albania, e cila do vazhdojë tani, pas periudhës traumatike të pandemisë, me rritje të numrit të avionëve, sipas planit të mëparshëm por që u shty për shkak të pandemisë, dhe nuk diskutohet, edhe si rezultat i transformimit të imazhit të vendit tonë, të dëshirës gjithmonë e më t ëmadhe të vizitorëve të huaj për të ardhur dhe për të parë Shqipërinë. 

 

Patjetër që ne e kemi parë dhe e konstatojmë përditë se industria jonë e turizmit ka hyrë në një fazë tjetër, që është një fazë kërkese shumë më të lartë, por edhe një fazë sfidash shumë më komplekse, që kërkon një rritje të domosdoshme të nivelit të kuptimit të pozicionit të operatorëve tanë në tregun ku ne ndodhemi, që është një nga tregjet më sfiduese glbalisht, tregu i Mesdheut, jemi në mes faktorësh konkurrues që kanë një eksperiencë të gjatë dhe ofertë turistike spektakolare, që nga Kroacia lart, Greqia poshtë, Italia përballë e kështu me radhë, por nëse do dimë të ecim me mençuri, nëse do dimë të  reagojmë edhe ndaj gabimeve në planifikim dhe në qasje, siç ka ndodh këtë vit në ndonjë zonë të bregdetit, ku për shkak të çmimeve absurde fluksi i turistëve ka qenë shumë më i ulët sesa do duhej të ishte, atëherë me siguri që Shqipëria e vitit 2030 do jetë përtej edhe vetë objektivave tona. 

Ministrja e tha, projeksioni ynë për 2030 ka qenë 8, dicka milionë pasagjerë dhe mendojmë që këtë projeksion tani, mbi bazën e këtij viti dhe mbi bazën e të gjithë të dhënave të tjera, e kemi më të lartë dhe, nuk diskutohet që, të gjitha politikat me aviacionin, me aeroportet e reja, me përmirësimin e shërbimeve, me rritjen e numrit të kompanive, e kombinuar me gjithë politikën e investimeve në turizëm.

Shpresojmë që shumë shpejt të firmosim, pas një negociate të gjatë dhe jo të lehtë, edhe kontratën më të madhe për investimin më të madh strategjik në turizëm për Portin Turistik të Durrësit, do bëjë që ne ta kemi Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm në vitin 2030, pa as më të voglin diskutim.

Nuk po zgjatem më tutje. 

Dua të falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugë dhe që vazhdojnë të kontribuojnë. Ministrja e tha që së shpejti ne do kemi kantierin e aeroportit të katërt, atij të Sarandës dhe shpresoj dhe besoj që brenda këtij mandati do shikojmë aeroportin e Vlorës të bëhet operacional, do shikojmë aeroportin e Kukësit të fuqizohet ndjeshëm, padiskutim aeroportin e Tiranës të zhvillohet me projekte të tjera që janë rrugës, akademinë e Aviacionit, bazën logjistike të WizzAir, ndërkohë që bazën logjistike të Air Albania-s duam ta vendosim në aeroportin eVlorës, me fluturimet trans-oqeanike dhe të tjera gjëra që, padiskutim, janë të domosdoshme për ta arritur objektivin e një vendi kampion në rajon për turizmin.

Faleminderit.

 

 

 

Top Channel