30 hektarë sipërfaqe e djegur në Dropull/ Zjarri po avancon drejt Delvinës dhe Finiqit! Në ndihmë dy avionë dhe dy helikopterë nga Greqia

31/07/2022 11:07

Zjarri po shkon drejt shuarjes në lartësitë e fshatrave të Dropullit, aty ku një ditë me parë kërcënoi prona dhe banesa në të paktën 5 fshatra.

Dy avionë dhe dy helikopterë nga Greqia kanë  kryer 24 ndërhyrje në terren përgjatë  pasdites  së djeshme dhe sot në mëngjes.

Ndërhyrja nga ajri mundësoi  largimin e rrezikut për avancimin e zjarreve në qendrat e banuara.

Sipas informacioneve nga terreni, zjarrfikëset e Dropullit, Gjirokastrës, Libohovës, Tepelenës e Memaliajt kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për të shuar zjarret për shkak të terrenit të thyer dhe vatrave të reja që shfaqeshin vazhdimisht për shkak të erës.

Momentalisht zjarri po avancon në  perëndim drejt Delvinës dhe Finiqit. Aktualisht operacionet nga ajri janë ndërprerë por sipas kreut të ushtrisë nënkolonel Gramoz Tola është kërkuar që kjo ndërhyrje të rifillojë pasi era po e nxjerr jashtë kontrollit situatën.

Zjarri po djeg një hapësirë të gjerë kullote disa kilometra larg fshatit Kardhikaq në Delvinë ndërsa në terren janë rreth 20 forca të ushtrisë, banorë të zonës si dhe zjarrfikëset e Finiqit dhe Delvinës.

Operacionet synojnë të krijojnë një brez sigurie përgjatë zonës së mbrojtur të Syrit të Kaltër dhe për këtë do të duhet të rikthehet mbështetja nga ajri. Nga përllogaritjet  e deritashme në terren, rezulton se zjarri i djeshem ka shkaktuar djegjen e 30 ha pyje dhe rreth  270 ha kullotë.

Top Channel