15 shtetas të rinj betohen për nënshtetësinë shqiptare, Veliaj: Kthejeni në mision për ta bërë vendin tonë më të mirë

30/07/2022 13:01

15 shtetas të rinj, 11 prej të cilëve nga Kosova, u betuan para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare. Në ceremoninë e betimit, Veliaj uroi secilin prej tyre për këtë rrugëtim të ri.

“Unë e quaj marrjen e shtetësisë një mission për ta bërë vendin tonë më të mirë, për ta ngritur më lart, për ta zhvilluar më shumë, për ta modernizuar më shumë. Sot kemi shumë motra dhe vëllezër nga Kosova, që marrin shtetësinë shqiptare, kemi edhe nga Maqedonia e Veriut, nga Suedia. Shpresoj shumë që pasaportën do ta merrni jo thjesht si një instrument udhëtimi dhe identifikimi, por si një mision,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë ftoi shtetasit e rinj që t’i bashkohen aktiviteteve të Tiranës Kryeqytet Europian i Rinisë këtë vit, tanimë si pjesë e kryeqytetit. “E di që disa prej jush e ndajnë jetën mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera, por shpresoj që sa herë të ktheheni, t’ju kemi të pranishëm në aktivitetet tona. Tirana këtë vit është Kryeqyteti Europian i Rinisë, ndaj për të rinjtë e çdo moshe, nga 3 deri në 103 vjeç, kemi një pafundësi eventesh”, tha Veliaj.

Mes shtetasve të rinj me pasaportë shqiptare prej ditës së sotme është pajisur edhe futbollisti 23-vjeçar Flamur Tahiri, me origjinë nga Struga, por rezident në Suedi, ku ka luajtur në disa prej skuadrave vendase si mesfushor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA