Vendimi për ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, i akuzuar për shpërdorim detyre pritet të jepet në orën 16:00 të kësaj të premteje.

Hetimet e SPAK zbuluan abuzime me tenderin prej 24 milionë lekësh për rehabilitimin e një kanali vaditës në Bishqem të Lushnjës dhe pas hetimeve dyshohet se ish-kryebashkiaku i Lushnjës ka kryer shkelje për dhënien e tenderit në favor të miqve të tij.

Ai u gjykua së bashku me 19 të pandehur të tjerë, punonjës, juristë, drejtorë te ndërmarrjes së pasurive publike të këtij qyteti të përfshirë në shkelje.

Tushe hodhi poshtë të gjitha akuzat e SPAK duke thënë se nuk ka bërë shkelje në tendera dhe se ishte detyra e tij të kujdesej për banorët e zonës dhe në këtë mënyrë ka kërkuar pafajësinë.

Nga ana e SPAK është kërkuar dënim me 3.4 vite burg për ish kryetarin e bashkisë.

Nga ana tjetër avokati i Tushes ka bërë me dije lidhjen e ish-kryebashkiakut me shtetasin Ibrahim Lami, me të cilin sipas tij kishte kontakte prej të ndjerit ish-deputetit Bashkim Fino.

Ibrahim Lami dyshohet se është biznesmeni, kompania e të cilit përfitoi tenderin nga Bashkia e Lushnjës, por avokati i Tushes ka bërë me dije se diçka e tillë nuk është e vërtetë.

Ai tha se Tushe me Lamin janë takuar në mënyrë që ky i fundit t’i përcillte Bashkim Finos vonesat që do të bëheshin në rehabilitimin e kanalit ujitës. Ky takim mes tyre u bë pasi Tushe nuk kishte kontakt me Finon dhe ish-deputeti ishte në gjendje të rëndë atë kohë.

Sipas avokatit të Tushes, i mbrojturi nga ai nuk kishte asnjë kompetencë apo funksion në lidhje me procedurat e prokurimit që të nënshkruajë akte të tilla dhe sipas tij vlerësimet mbi të nuk janë objektive dhe akuzat nuk mbrohen me fakte konkrete.

Për Flamur Peqinin prokuroria e posaçme kërkoi 3.4 vite burg, Ibrahim Lamin 1.6 vite, Gazmend Çelën 1.8 vite, Gentian Nushin 2.8 vite, Leonard Sefën 1.8 vite, Blerta Turkun 1.8 vite, Xhemal Haskon 1.8, Andri Musho 1.4 vite, Margarita Gjermeni 1.8 vite, Bektash Nexha 1.4 vite, Ani Simoni 1.4 vite që në aplikim të gjykimit të shkurtuar sipas SPAK dënimi duhet të zbresë në shërbim prove për tre vite.

Top Channel