“Luftë do keni”! Bashkia e Himarës fut në konflikt banorët e Borshit: Leje private punonjësit për përroin!

28/07/2022 20:45

Bashkia e Himarës ka futur në konflikt banorët e lagjes “Shkallë” në Borsh. Kryetari i Bashkisë, Jorgo Goro, i ka dhënë një punonjësi të bashkisë një leje për të kryer punime private në rrugë dhe në përrua.

Por, pa asnjë studim apo plan urbanistik, teksa pas dhënies së këtij miratimi, banorët janë konfliktuar me njëri tjetrin. Resuli, një nga banorët e kësaj lagje, kërkoi ndihmë nga emisioni “Fiks Fare”, pasi punimet e kryera në mënyrë private i rrezikojnë banesën, të cilën e ka poshtë vendit ku janë kryer punime. Ai thotë se disa persona, me në krye Ibrahim Dafën, i cili është punonjës i tatim taksave të Bashkisë së Himarës, kanë kryer punime pa asnjë plan të mirëfilltë. Madje, thotë Resuli, punimet janë kryer në rrugë dhe në përrua.

“Unë e kam shtëpinë poshtë këtyre. Ky është një përrua shekullor. Po t`i ndryshosh rrjedhën, do të dalë nga shtrati dhe ai që e pëson jam unë atje poshtë. Se këta nuk kanë asnjë dëm. I kam pyetur nëse kanë apo jo leje dhe më kanë thënë se kanë. Kam shkuar në Bashkinë e Himarës dhe më kanë dhënë një shkresë” thotë Resuli.

Në fakt, sipas dokumentit, nuk bëhet fjalë për një leje, por për një kthim përgjigje nga Bashkia e Himarës drejtuar punonjësit të saj, Ibrahim Dafa. Dokumenti mban datën 27 prill 2022, ku kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i shkruan punonjësit se “ju mund të kryeni punimet e riparimit të segmentit të dëmtuar të përroit dhe të segmentit rrugor që është i degraduar përgjatë përroit”. Pra, vetëm një kthim përgjigjeje! Por, si e tek do ndërhyhej, nga Bashkia e Himarës nuk është dhënë asnjë miratim, madje as nga Urbanistika.

Fiksi shkoi te vendi që ishin bërë punimet, teksa konstatoi se një pjesë e përroit ishte vendosur në tuba të mëdhenj. Por, në momentin që grupi i Fiksit shkoi atje, një pjesë të banorëve të tjerë, u mblodhën te ai vend dhe filluan të konfliktohen me njëri tjetrin. “Luftë do keni”, “do e shikoni se kush jam unë”, “mos filmoni”. Këto dhe të tjera ishin disa nga frazat e banorëve. Gazetarët intervistuan një prej banorëve, i cili thotë se në pamundësi që të ndërhynte Bashkia e Himarës, ata kanë investuar vetë. Por, i pyetur nëse të gjithë banorët kanë qenë dakort, ai shprehet se “u bë për të mirën e komunitetit”. Sipas tij, lejet kishin dalë në emër të z.Ibrahim Dafës.

Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan më pas në Bashkinë e Himarës, fillimisht te Urbanistika për të pyetur nëse kishte apo jo një plan për ndërhyrjen në rrugë dhe në përroin në lagjen “Shkallë” në Borsh, pasi vendi është shumë afër me bregun e detit. Specialistja e Urbanistikës tha se të gjitha dokumentet janë në arkivë dhe te Urbanistika nuk është dhënë asnjë miratim. Fiksi pyeti te Arkiva e Bashkisë Himarë, ku punonjëset iu servirën të gjithë praktikën. Nga këqyrja e dokumenteve rezulton se nuk bëhet fjalë për ndonjë leje, por vetëm për dokumentin e datës 27 prill të kryetarit Jorgo Goro. Në të gjitha dokumentet nuk kishte një studim, një plan për zonën, për rrugën apo edhe për përroin. Por, “mjaftonte” vetëm emri, vula dhe firma e kryetarit Goro.

Ndërkohë, gazetarët kontaktuan nëpërmjet telefonit me Ibrahim Dafën. Ai tha se lejet kanë dalë në emrin e tij, pasi është banor i asaj lagje. I pyetur nëse kishin qenë apo jo dakord të gjithë banorët, tha se “mbi 80 %”. Ndërkohë, ai tha se kishin bërë kërkesa në Bashkinë e Himarës, pasi kjo bashki i kishte braktisur dhe s’kishte ndërhyrë prej shumë vitesh në atë lagje. Megjithatë, pranoi se ata si banorë nuk kishin asnjë plan të mirëfilltë për rrugën apo përroin. Gazetarët e pyetën se leja që kishte marrë, futi në sherr lagjen, ndërsa ai u përgjigj se “s’kishte dijeni”.

 

 

 

 

 

FOTO GALERI
5/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA