Rusia ka thënë të enjten se janë duke u zhvilluar bisedime për këmbim të mundshëm të të burgosurve në mes të Moskës dhe Uashingtonit, por ende nuk është arritur marrëveshje.
“Ende nuk është arritur rezultat konkret”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, përmes një deklarate.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka bërë “ofertë të konsiderueshme” për të kthyer në shtëpi dy amerikanë që mbahen në Rusi.
Ai ka thënë se do ta diskutojë këtë çështje kur të bisedojë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përmes telefonit në javën e ardhshme.
“Planifikoj të diskutoj këtë çështje që është prioritet për ne: lirimi i amerikanëve, Paul Whelan dhe Brittney Griner, që janë pa të drejtë në mbajtje. Ata duhet të lejohen që të kthehen në shtëpi”, u ka thënë Blinken gazetarëve.
Familjarët e të dy amerikanëve janë duke kërkuar vazhdimisht nga administrata Biden për kthimin e tyre.
Basketbollistja Griner, fituese e dy medaljeve olimpike, është duke u mbajtur në Rusi prej muajit shkurt, pasi zyrtarët kanë gjetur kanabis në valixhen e saj, teksa ajo ka qenë duke u kthyer në SHBA, pas përfundimit të ndeshjeve në Rusi.
Whelan është dënuar më 2020 me 16 vjet burgim në Rusi, nën akuzat për spiunim.
Ai mohon se ka qenë i përfshirë ndonjëherë në diçka të tillë.
Top Channel