Dushe me ujë të ftohtë dhe reduktime në ngrohje, qyteti gjerman i Hanoverit reagon ndaj krizës së gazit rus

28/07/2022 19:20

Qyteti gjerman i Hanoverit ka fikur ngrohjen për shkak të krizës së gazit rus, duke bërë që dushet të kenë vetëm ujë të ftohtë. Ky është qyteti i parë i madh që mbyll ujin e nxehtë, pasi Rusia uli furnizimin me gaz në Gjermani.

Gjermanëve iu është thënë të presin për masat gjithëpërfshirëse rreth reduktimit të  gazit dhe tarifave shtesë në faturat e tyre të energjisë. Sipas BBC, dhe BE-ja ka rënë dakord të ulë kërkesën për gazin rus këtë dimër me 15%.

Në përpjekje për të kursyer energji, qyteti verior i Gjermanisë ka vendosur që uji i nxehtë të mos jetë më i disponueshëm për larjen e duarve në ndërtesat publike, në dushe, pishina, salla sportive dhe palestra.

Shatërvanët publikë gjithashtu po fiken për të kursyer energji dhe nuk do të ketë drita gjatë natës në ndërtesat kryesore si bashkia dhe muzetë.

Kryebashkiaku Belit Onay tha se qëllimi ishte ulja e konsumit të energjisë së qytetit me 15% si reagim ndaj një mungese të menjëhershme të gazit që përbën një sfidë të rëndësishme për qytetet e mëdha.

Rregullat zbatohen edhe për ngrohjen, ku ndërtesat publike nuk do të kenë asnjë ngrohje nga prilli deri në fund të shtatorit të çdo viti.

Temperaturat e dhomës do të jenë të kufizuara, duke arritur maksimumin 20 gradë Celsius por për pjesën tjetër të vitit do të ketë përjashtime.

Të enjten, Gjermania konfirmoi se një shtesë e planifikuar e gazit për klientët mund të jetë shumë më e lartë se sa pritej më parë, në përpjekje për të siguruar që kompanitë e energjisë të mos falimentojnë në muajt e ardhshëm.

“Nuk mund të themi ende se sa do të kushtojë gazi në nëntor, por lajmi i hidhur është se janë padyshim disa qindra euro për familje“, tha ministri i Ekonomisë Robert Habeck.

Disa raporte thanë se taksa mund t’u kushtojë familjeve 500 € shtesë (420 £) në vit.

Sipas BBC, Gjermania është mbështetur prej kohësh në gazin rus për nevojat e saj energjetike, por kohët e fundit e ka akuzuar për kufizimin e rrjedhës në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së për luftën në Ukrainë, diçka që Rusia e mohon.

Furnizimet me gaz rus tani përbëjnë rreth një të katërtën e nevojave të vendit, krahasuar me më shumë se gjysmën para luftës.

Top Channel