Njerëzit po bëhen ‘gjithnjë e më budallenj’ dhe shkencëtarët nuk e dinë përse – studimi (fotot)

26/07/2022 17:09
Disa njerëz fajësojnë për këtë teknologjinë dhe varësinë prej saj

Supozohet se jetojmë në një epokë kur faktet dhe informacione janë “në majë të gishtave tona”, kur përdorim celularët dhe kompjuterët për t’u arsimuar, por përsëri ka diçka serioze që nuk shkon.

Dhe në fakt në vend që të bëhemi më inteligjentë indeksi i inteligjencës IQ është në rënie në të gjithë botën.

Shkenca thotë se prej nisjes së shekullit të 20-të inteligjenca e njerëzve po rritej, në një fenomen të njohur asokohe si ‘Efekti Flynn.’

Rrjeti ‘Techs Times’ shkruan se kjo rritje impresive asokohe vinte nga përmirësimi i arsimit, ushqimit dhe kujdesit shëndetësor.

Por një studim i ri nga Norvegjia thotë se ‘Efekti Flynn’ tashmë ka marrë fund, pasi prej viteve 1970 deri në 2009, në rreth 230,000 individë të analizuar shihej një rënie mesatare prej shtatë pikë në indeksin e inteligjencës.

Për disa ekspertë zbulimet ishin shumë shqetësuese ndërsa të tjerë thonin se shifrat mund të jenë pasojë e faktorëve të pallogaritur.

Stuart Ritchie, i Universitetit skocez të Edinburgh, i papërfshirë në studim, tha për Tech Times: “Kjo është provë konkrete për sprapsje të efektit Flynn. Modeli duket se është korrekt pasi dhe studiuesi Edward Dutton në Londër ka zbuluar efekte të ngjashme në dekadën e fundit.”

Ai zbuloi se në vendet perëndimore si Gjermania e Franca, niveli i përgjithshëm i inteligjencës ka rënie.

Mes të tjerash, në dokumentarin e tij “Nesër, të gjithë do të jenë idiotë?” ai thotë: “Jemi duke u bërë më budallenj. Kjo nuk do të kalojë vetë prandaj duhet menduar çfarë duhet bërë”.

Ekspertët në studim shpjegojnë, “Tendencat nuk vijnë si pasojë e ndryshimit të përbëries së familjeve apo geneve (për shembull emigracioni, dëmtimi i fertilitetit) por ka të bëjë me faktorë të jashtëm”.

Ekonomisti Tyler Cowen tha: “Kemi nisur të ndërtojmë një mjedis shoqëror që të nxit drejt paditurisë, por shkencëtarët duket se nuk dinë ose nuk thonë shkakun e kësaj”.

Disa njerëz fajësojnë për këtë teknologjinë dhe varësinë prej saj, reduktimin e orëve të leximit, shtimin e orëve të absorbimit të “mediave mbeturina” dhe degradimin e sistemit të arsimit.

Të tjerë thonë se mënyra e llogaritjes së inteligjencës mund të jetë e vjetëruar, por shkencëtarët ende nuk kanë një përgjigje të saktë.

FOTO GALERI
2/3
Një studim i ri nga Norvegjia thotë se ‘Efekti Flynn’ tashmë ka marrë fund

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA