Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Ballukut i është besuar posti i zëvendëskryeministres, pasi energjia do të jetë sfida më kolosale e kësaj periudhe për vendin tonë, ndërsa infrastruktura është sfidë e pandërprerë kombëtare.

Kryeministri Edi Rama i ka besuar postin e zëvendëskryeministres, Belinda Ballukut, duke larguar nga detyra Arben Ahmetajn.

“Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre”, thekson kryeministri në postimi në Twitter.

Kujtojmë se kryeministri para disa ditësh bëri me dije se qeveria ka bërë planin që qytetarët të kenë energji me orar, e cila do të vihet në zbatim në rast emergjence.

“Është përgatitur plani i shkurtimeve. Gjermania po heq ujin e ngrohtë nga shkollat. Kur Gjermania heq ujin e ngrohtë dhe ka hyrë gjithë sistemi politik gjerman në një garë se kush gjen idetë për të shkurtuar dhe mbrojtur, parafytyro vendet e tjera. Flasim edhe deri në shkurtime tërësore të furnizimeve me energji.

Ne e kemi bërë këtë plan, por është emergjence. Njerëzit duhet të fillojnë të kursejnë. Pse duhen ndezur dritat tani? Pronarit këtu nuk i vjen fatura e merituar se po t’i vinte, edhe librat do t’i lexonte me neonin e rrugës në darkë. Kjo është gjëja me të cilën duhet të merremi. Edhe ju duhet të përfshihemi. Jo vetëm kur kërkoni dopio ura, të kuptoni që vizioni është i duhuri por jo momenti, por edhe të sensibilizohen njerëzit. I keni parë shpenzimet e energjisë elektrike në bashki? Shikojini. S’po themi gjëmoni sustat për të fikur dritat në kryeministri edhe kur s’ka krizë, por mentaliteti i të jetuarit në kohë të vështirë duhet të kultivohet që të bëjmë çfarë mundemi”, tha Rama.

Ndërsa kryenegociatorja e re për Bashkimin Evropian njëkohësisht edhe Ministre Shteti do të jetë Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Zef Mazi, sipas kreut të qeverisë.

Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE që u mbajt në Bruksel më 19 korrik i hapi rrugën vendit tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një moment historik për vendin,  i pritur prej kohësh.

Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka,një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit.

Falënderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falënderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon”, sipas postimit të Ramës.

Kush është Belinda Balluku?

Znj. Belinda Balluku është Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë nga janari 2019.

Në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2021, zonja Balluku u zgjodh deputete e Qarkut të Tiranës.

Para se të emërohej ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo ka qenë Drejtore e Përgjithshme e ALBCONTROL, Sh.A., Agjencia Kombëtare e Navigacionit Ajror të Republikës së Shqipërisë (2013-19).

Znj. Balluku është e diplomuar në Programin Ekzekutiv “Zhvillimi Ekonomik” në Shkollën Kennedy të Harvardit dhe ka diplomë nderi nga IATA (International Air Transport Association) për menaxhimin e shërbimeve të navigimit ajror (Air Navigation Services Management).

Ajo u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Diplomën e Përgjithshme të Menaxhimit, në Miami, SHBA. Ajo ka një diplomë juridike dhe në vitin 1999 është diplomuar në Institutin e Teknologjisë në Athinë, Departamenti i Administrimit të Biznesit. Znj. Balluku ka një sërë kualifikimesh të tjera në fushën e sigurisë së aviacionit, telekomunikacionit, burimeve njerëzore, menaxhimit të pushtetit vendor dhe institucioneve drejtuese sociale.

Kontributet e zonjës Balluku në fushën e aviacionit shqiptar janë vlerësuar vazhdimisht nga partnerët ndërkombëtarë. Ajo ka promovuar bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë fqinje dhe integrimin e ALBCONTROL në organizatat europiane. Zonja Balluku ka gjithashtu një përvojë të gjerë në fushën e telekomunikacionit, ku ka punuar në nëntor të vitit 2000, menjëherë pas privatizimit të kompanisë më të madhe shtetërore të telefonisë celulare AMC, tashmë ONE Telecommunications.

Znj. Balluku ka mbajtur poste të larta drejtuese, fillimisht si Drejtoreshë e Kujdesit ndaj Klientit, ku themeloi për herë të parë në Shqipëri shërbimin Call Center dhe më pas Drejtore e Marketingut. Gjatë kësaj periudhe dinamike për AMC-në, znj. Balluku ka qenë pjesë e bordit vendimmarrës.

Në vitin 2004, zonja Balluku iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, fillimisht si Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më pas si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Gjatë kësaj periudhe, ajo drejtoi zhvillimin e strategjive të komunikimit me publikun dhe median.

Ajo ka qenë pjesë aktive e krijimit të ndërfaqes së pritjes dhe më pas ka menaxhuar me sukses koordinimin mes kryetarit të bashkisë dhe drejtorive ekzekutive të Bashkisë së Tiranës.

Që nga viti 2006, zonja Balluku është një pjesë jetike e Partisë Socialiste. Znj. Balluku ka kontribuar vazhdimisht në fushatat e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë sociale duke marrë pjesë në projekte dhe nisma komunitare.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA