Veliaj merr “Çelësin e Prishtinës”/ Kryebashkiaku i Tiranës merr vlerësimin nga kryetari i Komunës së Prishtinës

22/07/2022 13:36

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është nderuar me “Çelësin e Qytetit” nga kryetari i Komunës së Prishtinës, gjatë vizitës që kreu në Kosovë. 

Veliaj u shpreh krenar për arritjet e Kosovës dhe shtoi se ata që drejtojnë dhe merren me politikë kanë mision për të bashkuar dhe sheshuar ndasitë.

“Ndihem shumë i privilegjuar dhe i përulur për “Çelësin e Prishtinës”. E konsideroj një shtëpi të dytë, më bëhet zemra mal për çdo sukses dhe për çdo progres. Besoj se kush drejton dhe merret me politikë ka si mision të bashkojë dhe afrojë njerëzit, për t’i sheshuar ndasitë. Patjetër, politika është e rëndësishme, të gjithë duam të marrim vota, por jo vota me çdo çmim dhe jo vota me çdo instrument të populizmit. Besoj se ne të dy e kemi mision, si kryetarë të qyteteve tona, të japim shembullin e parë të vëllazërisë, të miqësisë, dhe t’ju kujtojmë njerëzve tanë se ka shumë gjëra që na bashkojnë. Mund të ketë edhe ndasi – në demokraci biem dakord të mos biem dakord – ama gjërat që na bashkojnë janë të jashtëzakonshme. Jemi një gjak, jemi një gjuhë, ndaj besoj se kjo është politika afatgjatë”, tha Veliaj.

Kryetarët e dy bashkive diskutuan edhe për projektet e përbashkëta dhe mbështetjen e aktiviteteve të ndryshme kulturore, që i afrojnë edhe më shumë Tiranën dhe Prishtinën.

Top Channel