Kultivonin lëndë narkotike, arrestohen tre personat e shpallur në kërkim në Korçë

22/07/2022 14:30

Tre persona të shpallur në kërkim prej disa kohësh janë arrestuar, pasi kultivonin lëndët narkotike në Korçë.

Operacioni policor i koduar “Limit”, i finalizuar 3 vjet më parë ku u goditën 4 grupe kriminale në fushën e narkotikëve, ka vijuar sërish duke bërë të mundur ndalimin e personave të shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë:

-B. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Skorovot, Kolonjë;

-Gj. M., 35 vjeç, banues në fshatin Moravë, Korçë;

-R. T., 34 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 18.05.2022, ka lënë në fuqi vendimin i cili parashikon se shtetasit B. Z. i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 11 muaj burg, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, ndërsa 2 shtetasve të tjerë u kanë mbetur për të vuajtur secilit nga 4 muaj burg, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel