Marash Qerreti banor i Njësisë Administrative Bushat në Bashkinë Vau i Dejës, tërmeti i nëntorit të vitit 2019 i dëmtoi shtëpinë.

Këshilli Bashkiak dhe sektori i emergjencave civile i miratuan akordimin e ndihmës financiare me shumën 1.125.538. Por Bashkia Vau Dejës më datë 20/01/2020 ka trajtuar familjen Qerreti me një fond emergjence 56.294 lekë.

Në vitin 2019 familja Qerreti jetonin në një çadër, por duke qenë se nuk po bëhej asgjë në lidhje me kalimin e dëmshpërblimit financiar u detyruan të ktheheshin në shtëpitë e dëmtuara edhe pse në akt-konstatim, grupi i inspektimit  ka deklaruar se shtëpia është e pabanueshme dhe me dëmtime të larta, si pasojë nuk duhet të jetohet në atë shtëpi.

Deri më tani Marash Qerreti nuk ka marrë as bonus qiraje dhe as dëmshpërblimin financiar.

Gazetarët   e Fiks Fare bashkë me qytetarin i drejtohen Zyrës së Emergjencave Civile Bashkia Vau i Dejës  për të marrë një përgjigje mbi dosjen e qytetarit.

Punonjësja në një bisedë me gazetarët tha se për sa i përket kalimit të dëmshpërblimit financiar nga kjo zyrë janë dërguar të gjithë dokumentet, dhe çdo gjë ishte në dorë të AKMC (Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile). Për bonusin e qirasë është zyra e shërbimit social  që merret.

Gazetarët dhe qytetari i drejtohen zyrës së shërbimit social, ku punonjësja thotë se duhet të flasë me zyrën e emergjencave sepse është e paqartë.

Gazetarët bashkë me punonjësen e shërbimit social i drejtohen zyrës së emergjencave ku pas një ore pritje dhe kontroll të imtësishëm të dokumenteve u vu re se formulari i aplikimit nuk ishte plotësuar në rregull.

Ndërkohë që qytetari tregon se ka plotësuar 3 dokumente të ndryshme, aty ndodhet vetëm një. Gazetarët  ndihmojnë qytetarin të riplotësojë formularin e aplikimit për bonus qiraje e më pas t’i miratohet nga shërbimi social.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel