Masa të forta sigurie me forca të shtuara të policisë u vendosën përreth gjykatës së rrethit gjyqësor Fier sot para nisjes së seancës gjyqësore ndaj Klodian Çalamanit, autorit të vrasjes makabre t 8-vjeçarit Mateo Vasiu, ndodhur ne 16 nëntor të vitit 2021 në Grecalli .

Masat e sigurisë janë marrë pas incidentit që ndodhi rreth një vit më parë, kur familjarët e 8-vjeçarit kërkonin drejtësi para dyerve te gjykatës.

Nuk janë paraqitur në gjykatë as Klodian Calamani, i përfaqësuar nga avokati Denid Hajdëraj dhe as familjarët e viktimës, përfaqësuar nga avokatja Rozeta Plaku.

Sot në gjykatën e Fierit me gjykatëse Erlanda Agaj dhe prokurore Suela Beluli , u pranua kërkesa e Prokurorisë Fier me objekt: “Dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të personit nën hetim Klodian Çalamani, i akuzuar për “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit” viktimë e të cilës mbeti 8-vjeçari Mateo Vasiu.

Në 15 qershor Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim të pandehurin Klodian Çalamani i akuzuar për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga nenet 100/2 dhe 79 gërma “a” të K.Penal.

Nga hetimet rezultoi e provuar se në datën 16.11.2021 babai i Mateo Vasiut, ka bërë kallëzim penal rreth orës 14:58 pasi është njoftuar në telefon nga bashkëshortja se djali i mitur nuk ka ardhur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e tij, duke dhënë dhe karakteristikat e fëmijës dhe veshjen e tij.

Menjëherë pasi është marrë kallzimi penal Nr.1262, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë shkuar në fshatin Grecalli, ku kanë kryer verifikime dhe kontroll territori.

Është bërë identifikimi i biçikletës që përdorte viktima dhe ka rezultuar se një të tillë e dispononte i dyshuari Klodian Çalamani banor i këtij fshati, i cili e kishte banesën rreth 100m larg banesës së të miturit.

Gjatë kontrollit të banesës është dalluar një pjesë toke e punuar ku pas gërmimit u gjet trupi pa jetë i viktimës. Në këto kushte, është bërë prangosja dhe shoqërimi i të dyshuarit Klodian Çalamani.

Në analizë të të gjitha provave të grumbulluara, rezulton e provuar se i pandehuri, para se të kryente veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga neni 79 germa “a”, ka konsumuar fillimisht veprën penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë, të parashikuar nga neni 100/2 i K.Penal.

Pas kryerjes së aktit homoseksual me dhunë ndaj të miturit, i pandehuri Klodian Çalamani, ka kryer vrasjen me sende të forta kazmë e lopata.

Top Channel