Amnistia fiskale propozuar nga qeveria parashikon falje fiskale, por edhe penale për individë apo biznese, ndryshe nga të mëparshmet të cilat kanë qenë vetëm fiskale. Në këtë kuadër rol të fortë do duhet të luajnë dhe organet e drejtësisë.

Nga kjo amnisti përfitojnë individët brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe shtetasit e huaj që paguajnë taksa në vendin tonë. Ministrja e Financave bëri me dije dhe detajet se si do të implementohet

Delina Ibrahimaj: Projektligji synon një afat 9 mujor zbatimi për të gjithë subjektet që plotësojnë kushtet dhe kriteret për tu bërë pjesë e tij. Parashikohet një kufizim prej 2 milionë eurosh për deklarimin vullnetar të pasurive.

Njësia speciale pranë administratës tatimore brenda pesë ditëve do analizojë kërkesat nga subjektet, individë apo tatimpagues duke ndërvepruar  në mënyrë elektronike me të gjithë institucionet shtetërore që lidhen me luftën kundër krimit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në përfundim të afatit pesë-ditor administrata tatimore do japë një vërtetim nëpërmjet të cilit individët apo bizneset mund t’i drejtohen sistemit bankar për të paguar një tatim të posaçëm për legalizimin e kapitaleve.  Kjo normë e reduktuar është 7% për 4-mujorin e parë të zbatimit të ligjit dhe 10% për 5-mujorin e dytë të zbatimit të ligjit.”

Ky projektligj sipas qeverisë është i mirëstudiuar dhe ka kritere mjaft të forta

 Arben Ahmetaj: Përjashtohen zyrtarët e lartë dhe të mesëm, të sotshëm dhe të dikurshëm. Përjashtohen individët e skeduar globalisht me rekorde kriminale, të verifikuar dhe të paverifikuar. Asnjë nga pasuritë e deklaruara nuk mund të transferohen jashtë Shqipërisë për pesë vite.

Mund të legalizohen shumat në të holla, sende me vlerë, pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, elementë të veçantë të pasqyrave financiare vjetore të subjekteve. Paratë nuk mund të tërhiqen kesh deri në afatin e zbatimin e ligjit, që të bëhet  një skemë mashtrimi për të deklaruar sa më shumë fiktivisht.

Qëllimi i amnistisë mundëson ligjësimin e pasurive të padeklaruara ose të paregjistruar, rishikimin e pasqyrave financiare, pagesën e detyrimeve tatimore për të ardhurat që deklarohen. Krijon amnisti penale dhe fiskale për subjektet.”

Top Channel