Zjarri i mori jetën djalit 6-muajsh/ Banorët tregojnë tmerrin: Gjyshja doli jashtë, foshnja ishte nxirë nga tymi

08/07/2022 09:37

Banorët e pallatit në në rrugën “Gani Domi” në kryeqytet, ku ra zjarr gjatë natës dhe ndërroi jetë një djalë gjashtë muajsh tregojnë për momentet e tmerrit kur panë të voglin të nxirrej nga zjarrfikësit, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjatë momentit kur ra zjarr, në shtëpi ndodhej gjyshja me nipin, ndërsa vajza e saj nuk ndodhej në shtëpi.

Fqinjët tregojnë se në momentet e para, Janulla Lilaj e harroi djalin brenda në banesë dhe vetë doli jashtë. Më pas, duhet të priste mbërritjen e zjarrfikësve për të hyrë në shtëpi.

“Janulla doli e para dhe e harroi për një moment fëmijën që kishte brenda. Vajza e saj s’ishte në shtëpi, kishte dalë. Fëmija qante me të madhe. Ndërhyri zjarrfikësja dhe e nxor jashtë. E pamë kur e nxorën fëmijën, ishte bërë i zi nga tymi. Ishte gjallë, por më vonë mësuam nga policia që vdiq”.

Në informacionet e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat thuhet se zjarri ka rënë në bodrum në një ambient të izoluar, ndërsa dyshohet se ka ndodhur për shkak të bombolës që përdorej për gatim.

Në vendngjarje u ndërhy me dy njësi zjarrfikëse dhe foshnja mundi të dalë e gjallë nga banesa, por humbi jetën në spital për shkak të asfiksisë.

Top Channel