Vjen stuhia/ Shi dhe erë në të gjithë vendin! Boshatisen plazhet, në Elbasan bien gurë nga mali

08/07/2022 13:39

Stuhia e erës dhe shiu ka përfshirë tashmë të gjithë territorin, duke boshatisur plazhet dhe duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve.

Meteorologia Laida Poria, në një lidhje direkte me edicionin informativ, shpjegon se më problematike do të jetë era, ku stuhitë do të jenë prezente pothuajse në të gjithë territorin.

Nga reshjet, më problematike do të jetë zona jugore dhe juglindja e vendit, ku do të ketë stuhi breshëri dhe stuhi të forta ere. Duhet pasur kujdes gjatë natës, sidomos në zonat përgjatë luginës së Drinit, ku era do të fryjë deri në 65 km/orë.

Po ashtu, gjithë vija bregdetare dhe bregdeti i jugut do të ketë një erë relativisht të lartë, duke bërë që të ketë një det të trazuar.

Të shtunën do te kemi erë të fortë, dallgëzim të lartë në brigjet detare. Do të ketë vranësira të lehta, nuk priten reshje shiu.

Dita e diel përmirëson dukshëm motin, do të ketë më shumë diell,  vranësira të pakta, reshje të izoluara në veri të vendit.

Por sa i përket temperaturave, do të jetë një fundjavë relativisht e freskët, me temperatura deri në 31 gradë Celsius, krahasuar me fundjavën e kaluar ku temperaturat shkuan në 41 gradë Celsius.

Reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë filluar këtë paradite, kanë larguar pushuesit vendas dhe turistët e huaj nga plazhi i Vlorës. Të gjitha plazhet e qytetit janë boshatisur nga pushuesit dhe turistët të cilët si rrjedhojë e shiut janë larguar me shpejtësi. Pronarët e plazheve kanë zgjedhur që çadrat dhe shezlongët t’i mbyllin dhe t’i sigurojnë nga era bregdetare, e cila vijon prej disa orësh në bregdet.

Në rrugët e qytetit të Vlorës, sidomos në Lungomare, aktualisht ka trafik të rënduar.

Reshjet e dendura të shiut në Elbasan kanë filluar të shkaktojnë problemet e para në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Rënia e gurëve nga shpati i malit ka vështirësuar qarkullimin tek vendi i quajtur “Kthesat e Murrashit”. Stuhia e fortë ka shkaktuar probleme në energjinë elektrike, duke u ndërprerë në disa zona të Elbasanit.

Stuhia e erës ka pushtuar edhe plazhin e Divjakës. Rëra ka mbuluar hapësirën e gjerë duke bërë të pamundur qëndrimin e turistëve në plazh. Pushuesit janë larguar menjëherë nga plazhi, pasi stuhia ka ngritur çadrat dhe shezlongët.

Një pamje aspak e zakontë është sot në bregdetin e Durrësit, ku plazhet e Adriatikut dhe shëtitorja bregdetare “Taulantia” janë braktisur nga pushuesit.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike i ka larguar pushuesit nga vija bregdetare, ndërsa gjiri i Durrësit është përfshirë nga moti i paqëndrueshëm, i karakterizuar nga vranësirat, erë dhe reshje shiu të herë pas hershme.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike në Lezhë i ka larguar pushuesit nga bregdeti, por pjesa më e madhe kanë preferuar të mos largohen, duke qëndruar në hotelet ku janë akomoduar.

Në akset rrugore qarkullimi vijon normalisht pa krijuar trafik të rënduar. Deri më tani nuk paraqiten probleme të paktën me përmbytje, sidomos në zonën bregdetare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA