Sherr mes të rinjve të armatosur në Vlorë/ Arrestohet Ani Begaj, i dyshuar për përfshirjen në “Masakrën e Çoles”

07/07/2022 13:30

Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Vlorës pasi qarkullonin me armë.

Kanë qenë grupet e policisë së Vlorës që kanë marrë njoftim se disa të rinj në lagjen “Pavarësia” ishin duke u konfliktuar me njëri-tjetrin.

Me të mbërritur policia, dy të rinj të armatosur nuk i janë përgjigjur thirrjes se policisë që te dorëzoheshin dhe janë larguar. Forcat e policisë janë vënë në ndjekje dhe i kanë arrestuar në afërsi të Plazhit të Vjetër. Atyre u janë gjetur dhe armët tip pistolete.

Një nga të ndaluarit është Ani Begaj, i shpallur në kërkim, pasi dyshohet si i përshirë në një atentat në Vlorë, në 7 prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, e njohur ndryshe edhe si “Masakra e Çoles”.

27-vjeçari i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin e datës 01.11.2016, e ka dënuar me 35 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, më datë 07.04.2015, në lagjen “24 Maji”, dyshohet se në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasit F. V. dhe H. R., pas një konflikti për motive të dobëta, njofton policia.

Në pranga ka rënë dhe 26-vjeçari me iniciale E. B. që shoqëronte dhe ruante Ani Begajn. Gjatë kontrollit fizik,  atij iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me municion luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Top Channel