Me armë dhe drogë në makinë, 35-vjeçari tenton të korruptojë policinë dhe largohet me shpejtësi/ Momenti i arrestimit të tij

07/07/2022 17:14

Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi qarkullonte me armë dhe drogë në makinë.

Gjatë operacioni t policor të koduar “Action”, ai u konstatua duke udhëtuar drejt Tiranës dhe tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë dhe më pas u largua me shpejtësi duke rrezikuar jetët e tyre.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, heroinë dhe një shumë e konsiderueshme parash, që u gjetën në automjet.

Qytetari nga Kamza është identifikuar si S. C., 35 vjeç.

Pas ndjekjes nga shërbimet e tjera të Policisë, ai është kapur në Shijak, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Gjatë kontrolit fizik, 35-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe një shumë parash.

Sipas policisë, materialet në ngarkim të këtij shtetasi iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese e municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Top Channel